Kampionati Europian i Peshëngritjes

10/04/2013 00:00

Romario Avdiraj, peshëngritësi i tretë shqiptar që garon në këtë europian ka bërë një paraqitje nën nivelin e pritur prej tij në grupin B për peshën 62 kilogramë.

Nga 6 prova, ai ka kaluar vetëm dy prej tyre, me 105 kg në shkëputje dhe 125 në shtytje, duke regjistruar kështu vetëm 230 kg në dygarësh, mjaft prapa dy peshëngritësve të tjerë në këtë grup. Në përfundim edhe të baterisë A, Romario Avdiraj është renditur i fundit në grupin prej 10 sportistësh, duke qenë plot 82 kilogramë prapa kampionit të Evropës, Hristov.  

Ndërkohë, ukrainasja Julia Paratova ka dominuar në kategorinë e peshës trupore deri në 53 kilogramë, duke lënë prapa rusen Zvetllana Çeremshanova dhe bullgaren Maja Ivanova. Paratova ka ngritur 234 kg në dygarësh, 6 kg më shumë se rusja dhe 8 më tepër sesa peshëngritësja bullgare.  

Përsa i përket kategorisë 62 kg për meshkuj, sportistët azerbajxhanas janë treguar më të suksesshmit duke marrë medaljen e artë dhe atë të bronztë. Me 312 kg në dygarësh, Valentin Hristov u shpall kampion i kontinentit  duke fituar sfidën ndaj moldavit Igor Bour dhe bashkëatdhetarit Zulfugar Sulejmanov, të cilët ngritën përkatësisht 304 dhe 290 kg në dygarësh.

Top Channel