Nga Andrea Stefani – Të gjitha partitë opozitare “përgjigjen e vërtetë, vërtet kombëtare, në të cilën do të jetë i përmbajtur interesi politik, shoqëror, ekonomik, kulturor dhe kombëtar shqiptar… do ta japin në qoftë se i bashkojnë forcat për të çliruar Shqipërinë prej diktaturës politike dhe shtetërore të Sali Berishës”, ka deklaruar në një intervistë Rexhep Qosja. Akademiku i shquar kosovar e ka kuptuar momentin historik. Ka kuptuar se nuk bëhet fjalë për një palë zgjedhje të radhës, por për zgjedhje historike nga rezultati i të cilave do të varet nëse Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e demokracisë dhe europianizimit apo do të zhytet edhe më thellë në kënetën e autokratizmit. Prandaj u thërret të gjithë opozitarëve, të majtë e të djathtë: Bashkohuni! Një gjest në përmbajtje i njëjtë me sugjerimet që Samuel Hantington jep në librin e tij “Vala e tretë” për të gjitha forcat opozitare në botë, të cilat ndodhen përpara detyrës së përmbysjes së regjimeve autokratike. Dhe opozita shqiptare ndodhet, pa asnjë ekuivok, pikërisht përpara një detyre të tillë. Prandaj duhet të bashkohet.
Regjimi i Sali Berishës ka shpalosur me kohë natyrën e tij autokratike (kapja e të gjitha pushteteve, vjedhja e zgjedhjeve, manipulimi i mediave, vrasja e protestuesve etj., faktojnë shpërfytyrimin e sistemit), por për një sërë shkaqesh, nuk ka mundur të fuqizohet si diktaturë. Edhe pse diktati dhe tirania e shumicës janë prezente në të gjithë aktivitetin e pushtetit. Por është e qartë se edhe një mandat i tretë katërvjeçar do të ishte fatal për demokracinë. Prandaj, ky është momenti që pas 8 vjetësh qeverisjeje, Sali Berisha dhe partia e tij “demokratike” të kalojnë në opozitë. Në favor të rotacionit është edhe gjendja e vështirë që kalon ekonomia shqiptare, për shkak të krizës së përbotshme, gjendje që është rënduar edhe për shkak të investimeve publike megalomane, të korruptuara dhe aspak efektive të Berishës. Në kushtet e rritjes së varfërisë dhe papunësisë, denoncimi i karakterit ilegjitim të regjimit autokratik bëhet mjaft efektiv dhe levë kryesore e opozitës për rotacionin e pushtetit. Sepse, sikundër shkruan Hantington, në librin “Vala e tretë”, “Nëse regjimi arrin suksese (sidomos ekonomike) këto sulme nuk do të jenë efektive”.
***
“Sunduesit autoritaristë shpesh janë ekspertë për të nxitur përçarjen e opozitës” – shkruan Hantington. Tashmë dihet që Berisha është një ekspert i këtij lloji. Ai u rikthye në pushtet duke përçarë PS-në e të majtën dhe ka qëndruar dy mandate në qeveri vetëm në sajë të kësaj përçarjeje. Neutralizimi i mjeshtërisë së përçarjes mund të bëhet vetëm nëse lidershipi i opozitës, në radhë të parë Edi Rama, por edhe të tjerë, do të tregojnë aftësi për bashkim në funksion të qëllimit kryesor që është përmbysja e autokratizmit për t’ia lënë hapur derën demokracisë në Shqipëri. Hantington citon Gabriel Almondin: “Udhëheqësit e mëdhenj janë krijues koalicionesh të mëdha”.
Ka dy faktorë që sugjerojnë zgjerimin e frontit opozitar kundër autokratizmit. Si të gjithë sunduesit autokratë, edhe Berisha ka tjetërsuar jo pak nga mbështetësit e tij të mëparshëm. Madje kemi edhe parti si FRD-ja apo Aleanca Kuqezi, që janë shpallur vendosmërisht kundër autokratizmit berishist. Lidershipi opozitar i së majtës, duhet të dijë të bashkëpunojë me këto forca për të zgjeruar mbështetjen e demokracisë dhe rotacionit politik si alternativa e domosdoshme kundër sistemit aktual. Të dyja krahët duhet të lënë mënjanë paragjykimet dhe të mos humbasin yllin polar, që është përmbysja me votë e qeverisë Berisha. Në këtë rrafsh do të ishte krejt e pafalshme, madje e rrezikshme, ngopja vetëm me restaurimin e aleancës PS-LSI, që është vërtet thelbësore për fitoren. Sepse, ndërkaq, Berisha ka nisur bashkëpunimin me të gjithë elementët e pakënaqur në gjirin e opozitës. Votimi i ministrave nga tre deputetë renegatë të opozitës e dëshmon këtë. Hantington sugjeron si një ndër taktikat e opozitës mobilizimin e mbështetësve në SHBA. Autokrati Berisha ka ditur ta zbatojë këtë sugjerim në favor të autokratizmit, duke bërë me para publike mbështetës të fuqishëm në SHBA. Opozita duhet të dijë ta neutralizojë këtë arritje të autokratit. Ndërkaq, siç po tregojnë shenjat, Berisha mbetet i vendosur t’i shkojë deri në fund një skenari të manipulimit të zgjedhjeve. Ai nuk heq dorë kollaj nga arma e tij kryesore e përjetësimit në pushtet. Jo rastësisht nga kampi i tij, pas largimit të LSI-së, janë ngritur zëra për rikompozimin e komisioneve zgjedhore. Prandaj që të mos ndodhet përballë të papriturave fatale, është mirë që opozita të bëjë ç’është e mundur për të zgjeruar sa më shumë radhët e frontit antiautokratik. Në pamundësi për të shkuar në zgjedhje pa Kryeministrin manipulator, opozita është prudente që opozita të krijojë një front aq të gjerë dhe dukshëm fitimtar, sa t’ia digjte nën mëngë Berishës A-sin e manipulimit. Në mënyrë që gjakimi i Berishës për një mandat të tretë (jo rastësisht na vjen ndër mend Rajhu i III) të përmbytet nga “vala e tretë”.
Top Channel