F1, Alonso: Përjetë me Ferrarin

10/04/2013 19:15

Incidenti në Sepang është lënë pas krahëve dhe Fernando Alonso ka deklaruar në një intervistë në Twitter se shanset e tij për të fituar titullin botëror nuk janë cënuar aspak.

“Jam optimist. Po të shohim statistikat, në çdo sezon ka 2-3 braktisje të garës. Ne shënuam zeron e parë të sezonit. Do të thotë që nuk do të përfundoj garën edhe në një ose dy raste të tjera. Kampionati sapo ka nisur dhe asgjë nuk është kompromentuar”, theksoi piloti spanjoll i Ferrarit.

Kur u pyet për të ardhmen e tij në Formulën 1, Alonso siguroi se do të jetë e lidhur me Kokëkuqen: “Mendoj se do e mbyll karrierën me Ferrarin. Është skuderia më e mirë në botë. Nuk ka asgjë më të mirë se Ferrari.”

Fernando Alonso dha këtë përgjigje kur u pyet se kush është piloti më i mirë i historisë së Formulës 1: “Nëse do të mund të zgjidhja për të garuar me një legjendë të këtij sporti, do të thoja Airton Senna. Ka qenë më i miri.”

Top Channel