FK Tirana, pa qëndrim për dhunën ndaj tifozëve

09/04/2013 15:30

Kanë kaluar 2 ditë nga ndeshja Tirana-Skënderbeu dhe klubi bardheblu akoma nuk ka një qëndrim të tijin zyrtar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj tifozëve të tyre nga Policia e Shtetit.

Burime pranë klubit kryeqytetas pohojnë për Top Channel se drejtuesit e Tiranës kanë dërguar një letër zyrtare në polici ku kërkohen detaje, arsyet dhe shkaqet për atë çka ndodhi ditën e dielë gjatë ndeshjes së javës së 21 të Superligës.

Ndërkohë, grupi i tifozëve të kësaj skuadre, “Tirona Fanatiks”, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka hedhur poshtë pretendimet e policisë se tifozët e Tiranës kanë qenë të armatosur me mjete të forta, ndërkohë që vazhdojnë të theksojnë se është ushtruar në mënyrë të pashpjegueshme dhunë ndaj disa prej tifozëve të tyre.

Top Channel