Ndërron jetë ish-Kryeministrja Thatcher

08/04/2013 00:00

Ish-Kryeministrja britanike Margaret Thatcher ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare për shkak të një hemoragjie cerebrale.

Gruaja e parë Kryeministre në Britani, kishte probleme me shëndetin e saj prej të paktën 10 vjetësh.

Zëdhënësi i saj, Lord Bell dha lajmin se zonja Thatcher ndërroi jetë për shkak të shëndetit të rënduar. “Me dhimbje të thellë fëmijët e saj Mark dhe Carol Thatcher njoftojnë se nëna e tyre baronesha Thatcher vdiq paqësisht mëngjesin e të hënës”, thotë Bell, duke njoftuar se një deklaratë e plotë do të publikohet më vonë.

Kryeministri David Cameron u shpreh: “Me keqardhje të madhe mësova se Lady Thatcher ndërroi jetë. Ne humbëm një lidere të madhe, një Kryeministre të madhe dhe një shtetase të madhe britanike”.

Edhe mbretëresha Elisabeth ka shprehur keqardhje të thellë për vdekjen e Baroneshës dhe pritet që ajo t’i dërgojë një mesazh privat familjes së saj.

Kohët e fundit ish-Kryeministrja pati një humbje të përkohshme të kujtesës dhe goditje të herëpashershme nga hemoragjite ne tru.

Thatcher kaloi 11 vjet në Downing Street, periudha më e gjatë që një kryeministër ka qëndruar në detyrë në shekullin e 20-të. Në vitin 1990, ndryshimet në lidershipin e asaj kohe,sollën edhe largimin e saj nga ky post, por dy vite më vonë ajo mori titullin Baronesha Thatcher e Kesteven.

Bashkëshorti i saj Denis, ndërroi jetë në vitin 2003, ndërsa fëmijët Mark dhe Carol jetuan jashtë Britanisë. Vëmendja për jetën e saj dhe karrierën politike, rierdhi në mendjen e publikut, kur Hollywood realizoi një film për të, me të madhen Meryl Streep, që interpretoi rolin kryesor.

Kush ishte “Zonja e Hekurt”, vajza e kasapit e shnderruar ne kryeministren e pare dhe te vetme femer te Britanise se Madhe?

Margaret Hilda Thatcher, mbajtëse e titullit baroneshë, ishte kryeministrja e Britanisë së Madhe nga viti 1979-90 dhe një prej politikaneve më me ndikim të kohëve moderne.

Kryeministrja më jetëgjatë e shekullit XX në Britani, një vend me një histori të gjatë monarkesh femra, Thatcher është e para dhe e vetmja që ka drejtuar ndonjëherë ekzekutivin britanik.

Me një stil drejtimi autoritar, Thatcher mbahet mend për një sërë reformash të thella dhe gjithpërfshirëse, që bënë një gazetar sovjetik ta mbiquante “Zonja e Hekurt”. Që prej atëherë, kjo nofkë u bashkangjit përjetësisht me figurën e baroneshës, e cila u nda nga jetë të hënën, në moshën 87-vjeçare.


Margaret Thatcher, “Zonja e Hekurt”, kryeministre e Britanise ne vitet 1979-90

Megjithatë, historia e ngritjes së Thatcher deri në krye të shtetit, është një histori e rrallë, e një njeriu të zakonshëm, që përballë të gjithë pengesave dhe pa asnjë përkrahje, arriti të ngjitej deri në majë dhe të ndryshonte jetën e dhjetëra miliona bashkëkohësve të saj.

E lindur në vitin 1925, si vajza e një kasapi, Thatcher kreu studimet e mesme gjatë Luftës së Dytë Botërore. E megjithatë, pavarësisht kaosit të asaj kohe, Margaret arriti të merrte vlerësime të shkëlqyera në aktivitetet jashtëkollore, midis të cilave recitimet poetike, piano, noti, ecja dhe hokei në bar.


Ne vitet e vona te jetes, Thatcher e moshuar pozon prane portreteve te saj.Ajo eshte kryetarja e vetme e shtetit qe u nderua per se gjalli me nje statuje, ne Parlamentin Britanik

Në studimet e larta, Thatcher u diplomua si kimiste, përpara se t’i përkushtohej një universiteti të dytë dhe në krye të disa viteve, të diplomohej edhe si avokate, e specializuar në fushën e tatim-taksave.

Kontakti i saj i parë me politikën erdhi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1951, kur ajo u përfshi në listën e konservatorëve, falë edhe sponsorimit të Denis Thatcher, me të cilin ajo u lidh në martesë në të njëjtin vit.

Në ato zgjedhje, Margaret tërhoqi vëmendje si kandidatja më e re femër. Pasi rezultoi një kandidate humbëse, “Zonja e Hekurt” iu dedikua politikës si profesioni i saj i parë.

Megjithatë, nuk mori pjesë në zgjedhjet e vitit 1955, pasi ishte shtatzanë me fëmijën e saj të parë. Diçka e tillë nuk u përsërit katër vjet më vonë dhe nga viti 1959-70, Margaret u shndërrua në një anëtare të Dhomës së Përfaqësuesve, Parlamentit Britanik.


Viti 1979, Thatcher pozon ne hyrje te selise se kryeministrit, godina e famshme numer 10 ne “Downing Street”, pas zgjedhjes ne krye te ekzekutivit

Viti 1970, njohu atëherë 35-vjeçaren, me hapin më të madh të karrierës së deriatëhershme, pasi u emërua Ministre e Arsimit, pozicion që mbajti për katër vjet, përpara se në 1975-n, të votohej si kryetarja e Partisë Konservatore, hapi i fundit përpara udhëheqjes së forcës së saj politike në fitimin e zgjedhjeve dhe shndërrimin në kryeministre.

Duke treguar cilësi të rralla si kryetare e shtetit, Thatcher mbajti konsulta të vazhdueshme me Mbretëreshën për reformat ekonomike, kufizoi numrin e emigrantëve që mund të mbërrinin në vend, reformoi sistemin e taksave dhe udhëhoqi një seri privatizimesh, që bashkuar me reformat e tjera dhe autoritarizmin e saj, e bënë që kjo epokë të mbahet mend me emrin e saj, atë të “Thatcherizmit”.

Megjithatë, ishin cilësitë e rralla të “Zonjës së Hekurt” në përgjigjen ndaj pushtimit argjentinas në Falklands, në vitin 1982, ato që përligjën më shumë pseudonomin e saj.


Viti 1979, intervista e pare e Thatcher si kryetare shteti

Me rikthimin e ishujve nën sovranitetin e kurorës diplomatike, pas një lufte disa-mujore, pjesë e përgjigjes së vendosur ndaj juntës gjenerale të Argjentinës, popullariteti i Thatcher u ngjit në nivele të panjohura më parë për një kryeministër në Britani.

Aftësitë e Thatcher në politikë e jashtme u evidentua edhe me paqen e arritur në Irlandën e Veriut, që prej dekadash ishte përfshirë në një betejë të përgjakshme separatiste dhe ndërfetare, midis protestantëve e katolikëve.

E ngjitur deri në majë të pushtetit, Thatcher u largua nga pozicioni i saj pa humbur zgjedhje, por pasi sondazhet e vitit 1990, treguan se ajo ishte më pak popullore se partia e saj dhe pasi Laburistët kishin forcuar avantazhin e tyre në opinionin publik, në nivele të panjohura më parë.


Thatcher dhe ish-Presidenti i SHBA-ve, Ronald Reagan, dy bashkepunetoret me te ngushte ne luften e fituar kunder Perandorise te se Keqes, sic quante Reagan bllokun e vendeve komuniste

Një figurë karizmatike, atëherë 66-vjeçare, “Zonja e Hekurt” vendosi të jepte dorëheqjen si deputete në vitin 1992, dy vjet pas largimit nga posti i kryeministres, me argumentin se pa angazhimin si deputete, do të kishte më shumë liri për të thënë dhe vepruar ashtu si mendonte.

Pas tërheqjes nga politika, Thatcher u angazhua me botimin e disa librave me kujtime, ndërtoi një fondacion bamirës dhe pati edhe disa angazhime të tjera, si ai me markën e cigareve “Philip Morris”, e cila e pajtoi ish-kryeministren si eksperte gjeostrategjike, me një pagë rekord për kohën (250 mijë stërlina në vit), para që financonin fondacionin.

Pas vitit 2003, kur bashkëshorti i saj ndërroi jetë, Thatcher bëri një jetë më të tërhequr, por nuk mungoi të ishte e pranishme në pritje të shumta shtetërore, midis të cilave edhe në funeralin e ish-bashkëpunëtorit të saj të ngushtë, Presidentit të SHBA-ve, Ronald Reagan.

Në vitin 2007, Thatcher u shndërrua edhe në të parën ish-lidere të shtetit, që nderohet me një statujë në Parlament, kur është ende në jetë.


Thatcher dhe Reagan, jo vetem politike, por edhe dy miq te mire

Prej disa vitesh, “Zonja e Hekurt” vuante nga probleme shëndetësore, të cilat e kishin bërë që aktivitetet dhe shfaqjet e saj publike të kufizoheshin në maksimum.

Margaret Thatcher ndërroi jetë paqësisht mëngjesin e së hënës, në moshën 87-vjeçare, pas një hemoragjie celebrale. Ajo lë pas një karrierë të gjatë në politikë dhe merita të padiskutueshme, që do ta bëjnë të mbahet mend gjithmonë si një prej figurave më të mëdha politike të shekullit të XX.


Ana e bute e nje “Zonje te Hekurt”, Thatcher takohet me disa femije si kryeministre

Reagimet e bashkëkohësve dhe liderve botërore

Mikhail Gorbachev, ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik, bashkëudhëheqës me Thatcher: “Një politikane e madhe, do t’i përkasë përgjithmonë historisë. Ajo ishte një bashkëpunëtore e fundit të regjimit sovjetik dhe kalimit të Rusisë në demokraci”.

Henry Kissinger, ish-Sekretar i Shtetit në SHBA:
“Një lidere e madhe dhe një mike e shkëlqyer e Shteteve të Bashkuara. Ndryshe nga sa është portretizuar, ajo ishte një zonjë e ngrohtë dhe komunikuese, e cila bëhej e hekurt vetëm në mbrojtjen e ideve të saj”.


“Zonja e Hekurt”, perkrah forcave te armatosura britanike, pas betejes se suksesshme per ishujt Falklands

Tony Blair, ish-kryeministër i Britanisë: “Ngë shtyllë në historinë moderne të Britanisë. Pak lidera kanë kapacitetin, horizontin dhe aftësinë për të ndryshuar jo vetëm vendin e tyre, por edhe të gjithë botën ku jetojnë”.

Ed Miliband, shefi i opozitës në Britani: “Përballoi vitet e fundit dhe të vështira të jetës me krenari e dinjitet. Kritikët dhe mbështetsit, do të kujtojnë gjithmonë kryeministren e atyre viteve të arta”.


Me kryeministrin aktual, David Cameron

Alex Salmond, kryeministër i Skocisë: “Një kryeministre e mrekullueshme, politikat e së cilës i dhanë formë një brezi të tërë. Nuk kam dyshim që vdekja e saj do të ngjallë një debat të gjerë mbi trashëgiminë që na lë. Megjithatë, sot e rëndësshme është vetëm të nderojmë këtë figurë të madhe, ndërsa i paraqesim respektin më të thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes e njerëzve të saj të dashur.


Dy grate me me shume ndikim ne historine moderne te Britanise, Mbreteresha Elizabeta II dhe kryeministrja Margaret Thatcher

Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit: “Sot vajtoj ndërrimin e jetës së kryeministres Margaret Thatcher. Një lidere e madhe, një grua me principe, vendosmëri, bindje dhe forcë, një grua që do t’i mbetet gjithmonë historisë si një pike reference për të gjithë. Thatcher, një njeri që frymëzoi një brez të tërë, ishte gjithashtu një mike e Izraelit dhe popullit hebre. i parashtroj të gjithë ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, qeverisë dhe popullit të Britanisë së Madhe”.

David Cameron ndërpreu një vizitë jashtë kufijve, për t’u kthyer me urgjencë në vend, pas njoftimeve se “Zonja e Hekurt” e Anglisë kishte ndërruar jetë, për shkak të një hemorragjie cerebrale. Në të gjithë ndërtesat qeveritare e rezidencat mbretërore në Londër, flamujt u ulën në gjysmë-shtizë.

“Ishte një lajm i hidhur për ne. Humbëm një udhëheqëse të madhe, një kryeministre dhe një britanike të madhe. Margareth Thatcher nuk është se, vetëm e drejtoi këtë vend, ajo e shpëtoi vendin tonë. Njerëzit do të vazhdojnë të mësojnë, për atë që ajo bëri, edhe dekada e mbase shekuj të tërë mbas nesh. Kjo është trashëgimia e zonjës Thatcher, por sot duhet të mendojmë edhe për familjen e saj”, deklaroi David Cameron, kryeministër i Britanisë.

Për presidentin amerikan, Barack Obama, bota humbi një kampione të lirisë dhe Amerika humbi një mike të vërtetë.
“Margareth Thatcher është shembulli më i mirë për vajzat tona, se nuk ka kupolë prej qelqi, që nuk mund të thyhet”, tha Obama.

Pavarësisht përplasjeve të saj me BE-në, kreu i Komisionit Europian, Barroso, ishte ndër të parët, që reagoi ndaj vdekjes së ish-kryeministres legjendë të Britanisë.

“Margareth Thatcher ishte padyshim një grua e jashtëzakonshme; e para kryeministre femër e vendit të saj dhe një lojtare e kujdesshme, por sërish e angazhuar në cështjet e Bashkimit Europian. Do të kujtohet si për kontributin e saj, ashtu dhe për rezervat që kishte ndaj projektit tonë të përbashkët”, tha Barroso.

Ndjenjat e rusëve për Thatcher-in ishin të ndara, mes respektit dhe hezitimit.

“Ajo e meritonte vërtet emrin ‘Zonja e Hekurt’. Një kryeministre e aftë, që e ngriti sërish në këmbë Anglinë. Thatcher tregoi se demokracia dhe pushteti i fuqishëm mund të qëndrojnë përkrah njëri-tjetrit”, tha Nikolai Viktorovich, banor i Moskës.

“Neve na ka bërë shumë gjëra të këqija, që të jemi të sinqertë. Ç’mund të them tjetër? Nuk duhet të flasësh keq për të vdekurit”, reagoi Juri, një tjetër banor i Moskës.

Ndërsa ish-lideri sovjetik, Mikail Gorbacov e lavdëroi Thatcer-in në ëebsite-n e tij, duke e cilësuar një politikane të madhe, fjala e së cilës kishte shumë peshë, si dhe një person të jashtëzakonshëm. Lista e gjatë e vlerësimeve për Margareth Thatcher-in vazhdon me komentet e shefit të OKB-së, Ban Ki-moon, i cili e përshkruan si model të grave në pushtet, deklaratën e presidentit izraelit, Shimon Peres, që flet për një lidere të jashtëzakonshme, ku u mishëruan në një njeri edhe idetë; ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, e quan një prej udhëheqësve unik të shekullit të kaluar; ndërsa për ish-kancelarin gjerman, Helmut Kohl, Margareth Thatcher, ishte një grua e madhe, që nuk pati zëvendësues.

Top Channel