Interi justifikohet me arbitrin

08/04/2013 00:00

“Dua të flas vetëm për penalltinë kundër që na u akordua. Ishte inekzistente. Kemi 21 ndeshje që nuk na jepet një 11-metërsh në favor dhe nga ana tjetër kundërshtarëve i jepet një penallti që nuk është. Nuk besoj se janë gabime të bëra pa të keq.”

Këto janë fjalët e presidentit të Interit, Massimo Moratti, pas humbjes 3-4 të skuadrës së tij ndaj Atalantës në San Siro. Padroni zikaltër i referohet 11-metërshit që arbitri Gervasoni akordoi për Atalantën kur rezultati ishte 3-1 për Interin. Sipas tij, kjo ishte arsyeja e përmbysjes së rezultatit.

“Një penallti e tillë ndryshon ndeshjen sepse lojtarët ndihen të pavlerësuar”, shton Moratti. I të njëjtit mendim edhe trajneri Stramaccioni, i cili mendon se ky episod përcaktoi takimin.

“Arbitri mori përsipër një përgjegjësi të madhe. Vetë lojtarët e Atalantës po kërkonin goditje këndi, jo 11-metërsh”, tha Stramaccioni, i cili në fund pranoi edhe gabimet e tij dhe të lojtarëve në fushë, të cilët pësuan edhe dy gola të tjerë (jo për faj të arbitrit) duke humbur takimin ndaj një skuadre modeste.

Top Channel