Çerekfinalet e Champions, flasin protagonistët

08/04/2013 20:10

Emocionet e Champions League rikthehen ditën e martë, me dy çerekfinalet e kthimit, Gallatasaraj-Real Madrid dhe Borusia Dortmund-Malaga.

Me suksesin e pastër në “Santiago Bernabeu” (3-0), ndeshja e Stambollit duket si një formalitet për t’u përmbushur, krejt ndryshe nga ajo që do të zhvillohet në Gjermani, pas barazimit pa gola mes palëve.

Në prag të këtyre sfidave, këto janë komentet nga secili kamp:

Jose Mourinho, trajner i Realit të Madridit: “Shpresoj që të mos ketë besim të tepruar. Në seancën e fundit stërvitore paraqitëm një video të një ekipi që fitoi 3-0 në shtëpi, por u eliminua. Më pas, bëmë shumë punë në aspektin taktik, pasi çmoj se ndaj Gallatasarajit kjo është e domosdoshme. Mendoj se do të ishte një befasi për të gjithë nëse do t’iu thoja se nuk jemi përgatitur si për një ndeshje të një vështirësie të lartë. Në Turqi, është gjithmonë e ëvshtirë. Në vitin 2003, në Kupën UEFA fituam në Porto 6 a 7 me zero ndaj një ekipi turk, por në ndeshjen e kthimit stadiumi ishte plot dhe entuziasmi në qiell, është një çështje kulturore, atje nuk është asnjëherë e lehtë”.

Fatih Terim, trajner i Gallatasarajit: “Pavarësisht humbjes në Madrid, Gallatasaraji është duke përjetuar një moment të mirë. Jemi mirë fizikisht dhe cilësia e skuadrës sonë është e padiskutueshme. Pa dyshim, pas humbjes 3-0 do të duhet një mrekulli për t’u kualifikuar, por në fushën tonë, luajmë gjithmonë të bindur tek fitorja ndaj çdo ekipi. Ndaj Realit nuk do të bëjë diferencë dhe mendoj se kemi shanse të mira për të fituar”.

Jurgen Klopp, trajneri i Borusias së Dortmundit: “Në stërvitje u thashë lojtarëve të përgatiten pa menduar ekot negative për rezultatin e vajtjes. Nuk mendonim ndonjëherë e lehtë ndaj Malagës. Në atë ndeshje, mund të shënonim, por edhe ata. Mundësitë për të kaluar janë aty, rivali është i vështirë, por nuk mund të presësh diçka tjetër në këtë kompeticion. Dimë që kemi një mundësi unike për t’u kualifikuar në katërshe, por njëkohësisht jemi krenarë që ndodhemi midis tetë më të mirëve. Shumë njerëz kanë veçuar në këtë edicion forcën tonë fizike apo cilësitë e ekipit tonë, por këtë herë, është radha për të treguar forcën tonë më të madhe, atë mendore”.

Moayad Shatat, zëvendëspresident ekzekutiv i Malagës: “Kemi shumë motivim dhe dëshirë për të treguar se nuk kemi mbërritur deri këtu rastësisht, por sepse jemi të aftë të bëjmë ndeshje të mëdha, ndaj skuadrave të mëdha. Nëse Borusia është favorite, për ne nuk ka rëndësi. Edhe Zeniti apo Milani ishin në fazën e grupeve. Ne kemi një organizim të shkëlqyer dhe një mbrojtje shumë të fortë, siç treguam në ndeshjen e parë. Kemi shanse tona”.

Top Channel