Abidal, rikthimi i dytë në fushë… “Edhe për 2 vite”

07/04/2013 18:40

Pas pothuajse 1 viti ndalese, për shkak të transplantit të mëlcisë, Eric Abidal i gëzohet rikthimit në fushën e blertë, por menjëherë e hedh vështrimin së largu.

Në fund të ndeshjes me Mallorca, anësori i Barcelonës ka falënderuar të gjithë personat, të cilët i kanë qëndruar pranë në këto muaj të vështirë, vecanërisht kushuririn e tij, e më pas ka piketuar të ardhmen me “blaugrana”-t.

“Do të doja të luaja edhe për 1 apo 2 vite, por nëse nuk ia dal dot, atëherë tërhiqem nga futbolli. Tashmë jam shumë mirë, futbolli është jeta ime, – ka shtuar ai. – Kam punuar shumë për të qenë një lojtar dhe nuk do doja t’i jepja fund karrierës time, pa patur mundësinë të zbres në fushë”.

“Përballja me sëmundjen ka qenë fondamentale: pas operacionit mendova të rikuperohesha dhe të rikthehesha në fushë, – vazhdoi Abidal. – Ishte gjë e bukur të rikthehesha, u relaksova pa menduar për të shkuarën, ashtu si dhe për presionin”.

Në fund, një falënderim special për Tito Vilanova-n: “Më ka ndihmuar shumë, më ka pritur. Jam i lumtur që është rikthyer të udhëheqë skuadrën”. Më pas zbulon prapaskenën e minutave përpara se të aktivizohej sërish: “Tito më pyeti se si ndihesha, ndërsa unë iu përgjigja ‘mirë, sot është dita ime’…”.

Top Channel