Barton për Thiago Silva: Transeksual!

05/04/2013 05:00

Joey Barton bën gjithçka për të fituar vëmendjen, e për të bërë mediat të flasin për të, teksa këtë herë kapet me një tjetër “yll” të futbollit botëror, Thiago Silva-n, duke e përshkruar si “një p…. i lënduar gjithmonë, i shëndoshë dhe i mbivlerësuar”, në profilin e tij zyrtar në Twitter.

Gjatë ndeshjes së Champions League, mes PSG dhe Barcelonës, lojtari fillimisht e portretizon me tallje lojtarin brazilian, për të përfunduar më pas edhe në ofendime të tjera.

“Më duhet të tërheq ato që kam thënë sot për Thiago Silva-n, që është i mbivlerësuar. Ai ishte i jashtëzakonshëm këtë mbrëmje”, ka reaguar më pas. “Ka bërë ndeshjen e jetës. Çfarë dite zgjodha për ta quajtur të mbivlerësuar. Duhej të kisha pritur, u tregova bastard!”.

Por, më tej ka vazhduar me fjalorin e tij: “Je para apo pas ndonjë operacioni? #transeksual”, përfundon me komentet e tij, mesfushori anglez i Marsejës.

PSG kërcënon me hapa ligjore

Reagimet e mesfushorit të Marsejës nuk kanë kaluar pa u vëzhguar, ndaj dhe klubi i Parisit i ka konsideruar si “të papranueshme” në faqen e tyre në internet. Sipas klubit parizien, sulmet e Joey Barton “janë të rënda dhe shkojnë përtej një loje verbale. Thiago Silva dhe PSG, – vazhdon deklarata, – rezervojnë të drejtën për të ndërmarrë çdo lloj iniciative ligjore, që e gjykojnë të arsyeshme”.

Nuk është hera e parë, që Barton kapet me “Mostrën”, siç e thërrisnin në Rio, duke parë që në të kaluarën e kishte quajtur si “shumë të shtrenjtë”, duke mbështetur idenë e tij se PSG kishte hedhur dëm paratë, kur kishte blerë mbrojtësin brazilian të Milanit.

Në të kaluarën, Barton, në vendlindje, është shpallur fajtor edhe për shprehje raciste në lidhje me kolegë të tij dhe, në kohët e Manchester City-t, u denoncua penalisht nga shoku i skuadrës, Ousmane Dabo, me të cilin ishte zënë gjatë një seance stërvitore.

Ekipi i Marsejës ka kërkuar menjëherë falje, ndërsa L’Equipe e ka vënë në lojë lojtarin.

Top Channel