Reali pranë gjysmëfinales, Dortmundi barazon

04/04/2013 02:15

Real Madrid ka mposhtur lehtësisht 3-0 Galatasaray-n, duke e bërë pothuajse të pamundur përmbysjen e rezultatit nga turqit, në Stamboll.

Vetëm 9 minuta zgjati qëndresa e skuadrës turke. Cristiano Ronaldo përfitoi mjaft mirë, nga një shthurrje e mbrojtjes kundërshtare, dhe kaloi Realin në avantazh.

Galatasaray nuk kishte fuqinë e duhur për të reaguar, edhe pse ka në përbërje lojtarë si Sneijder e Drogba, 2 lojtarë që e kanë fituar më parë këtë trofe.

Në minutën e 29-të, Benzema dyfishoi rezultatin. Reali shënoi një tjetër gol në pjesën e dytë, autor i të cilit ishte i sapofuturi Higuain.

Ndeshja e kthimit në Stamboll do të jetë një formalitet për madrilenët, të cilët janë shumë më superiorë se turqit.

Ndeshja tjetër mes Malaga-s dhe Dortmund-it përfundoi në barazim pa gola, një rezultat që lë të hapur kualifikimin për në turin tjetër, që do të vendoset në “Signal Iduna Park” të Dortmundit.

Top Channel