Armstrong rikthehet në sport si notar

04/04/2013 16:15

Mashtruesi më i madh në historinë e sportit, fituesi i shtatë Tureve të Francës të anulluar, Lance Armstrong, planifikon rikthimin në sport në gara zyrtare, këtë herë si notar.

Armstrong, i konsideruar për më shumë se një dekadë si çiklisti më i madh i të gjitha kohërave, iu hoqën të gjithë titujt e fituar gjatë 15 viteve si profesionist (1996-2011), pasi pranoi, pas grumbullimit të provave të palëkundshme, përdorimin e substancave të ndaluara gjatë të gjithë karrierës.

41-vjeçarit iu vendos një pezullim i përjetshëm në të gjithë sportet, nga Agjensia Amerikane e Anti-Dopingut (USADA), por Federata e Notit nuk është e anëtarësuar në këtë organizëm dhe ka agjensinë e saj vetjake të anti-dopingut.

Armstrong konfirmoi të enjten regjistrimin e tij në një garë kombëtare në Teksas, pranë vendbanimit të tij në Austin.

Ish-fituesi i shtatë Tureve të Francës do të garojë në garat e 400 metrave, 800 metrave dhe 1 500 metrave stil i lirë.

Top Channel