“Bild”: Webber lë Formulën 1 për “Porsche”

03/04/2013 19:50

Ndërsa zërat për një largim të Mark Webber nga Red Bulli në fund të këtij sezoni të Formulës 1 kanë ardhur duke u shtuar, për herë të parë jepet një destinacion i mundshëm për të ardhmen e 36-vjeçarit.

Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, destinacioni i mundshëm i australianit mund të jetë jashtë Formulës 1, duke u shndërruar në yllin e “Porsche”, në garën e famshme të 24 orëve të La Manshit.

Sipas gazetës, marka gjermane e makinave kërkon të rikthehet në mënyrë të bujshme në këtë garë, pas tërheqjes si kampione në vitin 1998.

Nuk është ende e qartë nëse 36-vjeçari do të vendosë të largohet nga Botërori apo do të zgjedhë një skuadër tjetër, nëse Red Bulli do të vendosë që të ndajë dyshen problematike Vettel-Webber.

Më parë gjatë muajit, burime pranë drejtorit të përgjithshëm të Red Bull, Chris Horner, thanë në shtypin austriak se ai po mendon që të rikonfirmojë për 2014-n vetëm Vettelin, pilotin e paprekshëm, tre herë kampionin e botës, ndonëse ishte ai në zanafillën e polemikave në Malajzi, kur parakaloi shokun e skuadrës në kundërshtim me urdhërat e marra.

I preferuari për të kaluar tek Red Bulli është Kimi Raikkonen, që në drejtimin e një makine jo ndër më të shpejtat, si Lotusi, po arrin rezultate të shkëlqyera në këtë sezon.

Nëse ky kalim nuk do të konkretizohet, atëherë besohet që Red Bulli do t’i bashkangjisë Vettelit një prej dy pilotëve të rinj të Toro Rossos, Vergne apo Ricciardon.

Top Channel