Bayern e Barça, me hap kualifikuesi

03/04/2013 00:40

Bajern Mynih fitoi 2-0 ndeshjen e parë ndaj Juventusit të Antonio Conte-s, skuadër e cila u shfaq shumë e tërhequr në “Allianz Arena”, duke i dhënë mundësinë bavarezëve të ishin superiorë në pjesën më të madhe të ndeshjes.

25 sekonda mjaftuan, që Bajerni të tregojë ambiciet e veta për këtë ndeshje. Alaba kaloi vendasit në avantazh, pas një gjuatje nga jashtë zone, duke shënuar dhe golin më të shpejtë në Ligën e Kampionëve, për këtë sezon.

Skuadra e Conte-s kërkon të reagojë, por fuqia e saj është shumë e vakët. Bavarezët u lanë shumë pak minuta italianëve, për të luajtur në fushë, dhe pas minutës së 15 ata morën sërish çelësat e lojës në dorë.

Robben, Ribery dhe Muller patën raste të tjera për të shënuar, por Buffon nuk lejon asnjërin t’i gëzohet golit të dytë. Në të dytën pritej një ringjallje e Juventusit, por është Bajerni që nuk e lejon këtë gjë.

Në minutën e 63-të, Mandzukic përfitoi nga një shastisje e mbrojtes së Juventusit dhe nxjerr të lirë para portës Muller-in, i cili vetëm sa e shtyn topin drejt rrjetës. Futja e Vucinic dhe Giovinco-s, në minutën e 70, solli rastin e parë dhe të vetëm të Juves, në portën e Neuer, por pa rezultat.

2-2 përfundoi sfida në Paris, mes PSG-së dhe Barcelonës, një rezultat që favorizon skuadrën katalanase. Messi kaloi spanjollët në avantazh, por u detyrua që pjesën e dytë ta ndjekë nga stoli, për shkak të një tërheqje muskulare.

Kundërpërgjigjia e parizienëve erdhi me Ibra-n, në minutën e 78-të. Një minutë nga koha e rregullt, Xavi shndërroi në gol një 11-metërsh, ndërkohë që në minutat shtesë, Matuidi riktheu barazimin në Paris.

Ancelotti dhe lojtarët e tij e dinë mirë, se ky rezultat nuk mjafton në “Camp Nou”, dhe se vetëm një mrekulli mund ta kualifikojë PSG-në në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve.

Top Channel