Arrest me burg babait të akuzuar për abuzim

03/04/2013 00:00

Gjykata e Fierit dha masën ‘arrest me burg’ për Adem Gecin 58-vjeçarin
që pak ditë më parë u akuzua nga e bija 16 vjeçare se prej tre vjetësh
abuzonte seksualisht me të.

Avokati mbrojtës i të pandehurit nuk e ka pranuar akuzën, duke pretenduar se klienti i tij është i pafajshëm dhe se do ta çojë çështjen në Apel. Më herët, bashkëshortja e 58-vjeçarit, njerka e adoleshentes, ka deklaruar se akuza e bërë ndaj tij është e stisur dhe hakmarrje e vajzës për shkak të zënkave që kishte me të atin. Sipas saj, i ati konfliktohej me të bijën pasi ajo ishte e lidhur me një burrë të martuar.

Policia e Fierit e arrestoi 58-vjeçarin Geci, nga Tropoja por me banim në Fier, pak ditë më parë, pas një denoncimi të depozituar në polici nga e bija e tij, e cila e akuzon për ngacmim seksual që kur ishte e mitur.

Mësohet se 58-vjeçari do t’i nënshtrohet një ekzaminimi mendor, pasi dyshohet se vuan nga probleme mendore në mënyrë që nëse rezulton e vërtetë, të transportohet në psikiatri.

Top Channel