Mourinho për Casillas: Luajnë ata që janë në formë

02/04/2013 19:50

Jose Mourinho, në konferencën e shtypit para ndeshjes që Real Madrid do të luajë ndaj Galatasaray për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, theksoi se Iker Casillas “po stërvitet mirë dhe duhet të vazhdojë kështu. Kur të ketë rastin për të luajtur, duhet të jetë gati.”

Portieri dhe kapiteni i skuadrës madrilene është kthyer nga dëmtimi që pësoi në janar, por tekniku portugez nuk e ka grumbulluar në dy ndeshjet e fundit duke bërë të qartë se do të vazhdojë t’i besojë portën Diego Lopezit.

“Jam treguar i ndershëm me Casillas”, shtoi Mourinho, i cili gjatë konferencës për shtyp pati një debat me një gazetar spanjoll që i kujtoi se në shtatë ndeshjet e fundit Reali ka pësuar shtatë gola, një statistikë që kurrë më parë nuk kishte ndodhur nën drejtimin e “Special One”.

“Fajin e ka e gjithë skuadra dhe jo portieri, i cili po kritikohet nga një person që nuk është objektiv”, tha Mourinho duke nxjerrë nga xhepi një letër dhe duke lexuar artikullin e para një viti të po të njëjtit gazetar që i bëri pyetjen:

Nuk pranoj që tek Reali të luajnë lojtarë të dekretuar. Nuk pranoj që tek Reali të luajë X lojtar edhe pse nuk është në formë. Një trajner nuk mund të fusë në formacion një lojtar duke u nisur nga statusi i tij dhe titujt e fituar. Tek Reali duhet të luftohet për të gjithë titujt me lojtarët më në formë dhe jo me ata që kanë më shumë histori.
Po e lë me kaq sepse të gjithë e dimë që ti nuk je objektiv në analizat e tua”, iu drejtua Mourinho gazetarit, por në të njëjtën kohë edhe kapitenit të Real Madrid dhe përfaqësueses spanjolle.

Top Channel