Ibra: Barça e Messi më të mirët

02/04/2013 04:10

Armiku publik numër 1 i Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, është një ish “helmues” i cili, në fakt ndryshe nga sa pritej, i thur komplimente Messi-t dhe shokëve të tij.

Sa i përket “blaugranave”, me të cilët do të përballet në ndeshjen e parë çerekfinaliste për Champions League, suedezi sqaron se bëhet fjalë për “skuadrën më të fortë në botë dhe ndoshta më të mirën e të gjitha kohërave”.

Sa i përket “pleshtit”, ai shpjegon: “Topi i Artë duhet të mbajë emrin e tij. Ai është lojtari më i mirë në botë. Nëse do të jetë më i miri i të gjitha kohërave, do ta mësojë vetëm kur të dalë në pension”.

Megjithatë, Ibra nuk ka ndërmend t’i hapë rrugë kundërshtarëve: “Do të ishte një zhgënjim i madh mos të luaja në këtë ndeshje, – thotë ai, duke iu referuar reduktimit të skualifikimit. – Gjithsesi, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë: do të fitojë ai që do bëjë më pak gabime”.

“Ndihem si numri 1 te PSG, por pa skuadrën pas shpine nuk do të isha askush, falë tyre arrij të shënoj gjithmonë. Është pikërisht skuadra, që duhet të jetë numri 1”.

Edhe Carlo Ancelotti shprehet me të njëjtat vlerësime: “Do të jetë një sfidë fantastike. Kam një ndjenjë pozitive, e dimë se sa e vështirë është të luash ndaj Barcelonës, por do të luajmë duke kërkuar të shfrytëzojmë të gjitha shanset, që do të na jepen. Messi? Është e vështirë të markohet, ashtu sikurse është e vështirë për kundërshtarët të ndalin Ibra-n”.

Më pas i përgjigjet ironikisht një pyetjeje të Mourinho-s: “Nëse Joze dëshiron të na japë këshilla se si ta mposhtim Barcelonën, i mirëpres…”.

Top Channel