Bayern, Heynckes: Juve? I frikësohem sulmit

02/04/2013 04:40

Jupp Heynckes shfaq tepër respekt për Juventusin dhe e di mirë, se çfarë duhet të bëjë Bayern-i i tij.

“Juve është një skuadër italiane, por me një organizim sulmues tepër të veçantë, pasi mesfushorët janë shumë aktivë në fazat ofensive. Për këtë arsye duhet të organizohemi maksimalisht në mbrojtje, sepse Juve sulmon shumë mirë”.

Sa i përket Pirlo-s: “Është një gjeni, asgjë më shumë, por edhe Vidal e Marchisio janë kampionë të mëdhenj. Megjithatë, edhe ne kemi lojtari të këtij niveli”.

“Juventus është një kundërshtar special, të gjithë lojtarët, bashke me trajnerin, duan gjithmonë të fitojnë. Kanë një shpirt luftarak dhe shpesh i dominojnë kundërshtarët. Është një skuadër e strukturuar shumë mirë, pothuajse s’kam parë kurrë një skuadër italiane kaq mirë të organizuar dhe të paparashikueshme në sulm”, shtoi ai, duke zbuluar se “javët e fundit kam shkuar të ndjek Juven, sepse dua të jem i informuar në perfeksion, si për formën dhe për performancat e tyre”.

Heynckes pret një ndeshje të hapur: “Juve është një skuadër e madhe e Europës, do të jetë një sfidë e barabartë. Këtë fundjavë shkova në krevat dhe u zgjova me ‘Zonjën e Vjetër’. Na pret një ndeshje me ritëm të madh, shpejtësi dhe agresivitet, të gjithë përbërësit e duhur për të zhvilluar një ndeshje të madhe”.

Top Channel