Barbara Berlusconi, një grua në krye të Milanit

02/04/2013 00:00

Në ditën kur bëhen “hesapet” financiare të 2012-ës në kampin e Milanit ka buzëqeshje. Kuqezinjtë mbyllën në barazpeshë financiare vitin e kaluar, ndryshe nga 2011 kur bilanci ishte 70 milion euro minus, por përvec kësaj, skuadra është në ngritje, një mbrojtje që forcohet dita-ditës dhe një Balotelli në sulm që jep sigurinë për të ardhmen.

Rreth gjithë situatës tek Milani foli Barbara Berlusconi, e cila mban funksionin e këshilltares së posaçme tek skuadra që drejtohet nga babai i saj.

Në një intervistë për revistën e përjavëshme “A” në Itali, Barbara tregon se si u përfshi në futboll dhe për objektivat e klubit, jo vetëm në planin sportiv, por edhe në atë të qendrueshmërisë si shoqëri.

“Muajt e parë i kam kaluar në krah të Adriano Galliani-t duke u përpjekur që të mësoj sa më shumë prej tij. Ai është një prej drejtorëve sportivë më të mirë në botë dhe për mua ishte një udhërrëfyes i shkëlqyer”, thotë ajo.

“Merrem me hartimin e strategjive të zhvillimit të shoqërisë si dhe me organizimin, me kostot dhe shpenzimet që do të na mundësojnë të investojmë, jo vetëm në blerjet e lojtarëve cilësorë, por edhe në përmirësimin e terreneve sportive”, shton Barbara.

Barbara flet edhe për marrëdhënien e saj me të atin.

“Dëshiroj që babai im të plaket i rrethuar nga dashuria e fëmijëve, nipërve e mbesave të tij. Është një nder të kesh në krah një burrë si ai. Në lidhje me të fejuarën e tij, Francesca Pascale nuk mund të flas sepse ky argument është pjesë e jetës sentimentale të babait tim, mbi të cilin s’kam asgjë cfarë të them”, përfundoi ajo.

Roli i Barbara Berlusconi-t në skuadrën Milanit dita-ditës fuqizohet dhe së fundmi janë shtuar zërat se do të jetë pikërisht ajo që do të drejtojë Milanin pas largimit të Berlusconi-t.

Top Channel