Villa: Nuk përsëritet humbja me Milanin

01/04/2013 19:50

Në prag të ndeshjes vendimtare me Paris SG, sulmuesi i Barcelonës, David Villa, është i sigurt që skuadra e tij nuk do të përsërisë më gabimin e “San Siro”-s në turin paraardhës, kur u kompromentua kualifikimi në çerekfinale pas humbjes 2-0 ndaj Milanit.

“Nuk mësohet vetëm nga humbjet, por edhe nga fitoret. Ndeshja me Milanin ishte një shembull i të dyja këtyre. Në ndeshjen e parë vuajtëm lodhjen, duke u detyruar që në të dytën të tejkalonim veten. Rrezikuam, por kjo ndeshje nuk do të përsëritet më”.

Barcelona, e inkurajuar edhe nga rikthimi i Tito Vilanovës në drejtim, është duke përjetuar momentin më të rëndësishëm të sezonit. Megjithatë, Villa shmang fjalën dopietë (kampionat-Champions) dhe paralajmëroi për forcën e francezëve. “Ibrahimoviç është një prej futbollistëve më të mëdhenj në botë, një i jashtëzakonshëm, për të cilin mund të urosh vetëm që të ketë një ditë të keqe në ndeshjen tënde. Parisi, falë pronarëve të rinj, ka bërë shumë blerje të futbollistëve shumë të vlefshëm. Fakti që ndodhen në çerekfinale, flet qartë për cilësinë e tyre, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm”.

Në konferencën për shtyp përpara përballjes së të martës, në “Parc des Princees”, Villa komentoi edhe rolin e favoritit, që i vishet Barcelonës: “Më duket e padrejtë të flasësh për favoritë. Të tetë ekipet kanë mbërritur deri këtu me forcat e tyre. Të caktosh kush është favorit nuk shërben për asgjë. Gjithçka do të vendoset në fushat e lojës”.

Top Channel