Sneijder: Bëjmë surprizën. Mou, një baba i dytë

01/04/2013 19:10

Në prag të ndeshjes me Realin e Madridit, Wesley Sneijder, ylli i vërtetë i Galatasarajit, pranoi se ndien një nostalgji të veçantë për Mourinhon.

“Marrëdhënia me Moun nuk ka qenë si me të gjithë trajnerët e tjerë, ishte diçka e veçantë. Ai të sfidon, të ndihmon dhe është i vëmendshëm ndaj gjithçkaje. Mou di gjithmonë se si të të ndihmojë. Për mua, është një baba i dytë”, deklaroi Sneijder, në një intervistë për të përditshme spanjolle, “Marca”.

Duke komentuar ndeshjen, Sneijder shprehu besim tek shanset e skuadrës së tij për kualifikim. “Fati i një ndeshje asnjëherë nuk është i vendosur përpara saj. Reali  është favorit, por ne kemi cilësitë e mjaftueshme për të synuar një surprizë. Gallatasaraj është një ekip i fortë”.

Ish-futbollisti i Realit për një sezon, mesfushori iu kthye të shkuarës: “Nuk kam kujtime të këqija nga dy vitet e kaluar në Madrid. Në sezonin e parë, gjërat shkuan vërtet mirë dhe fituam edhe kampionatin. Viti i dytë ishte më i vështirë, por kjo nuk ndryshon faktin që vazhdoj të ruaj kujtime të bukura nga ajo periudhë e jetës sime”.

Top Channel