Nga Xhani de Biazi te Stefan Fyle

01/04/2013 00:00

Ilir Yzeiri – Nëse do të përpiqesh të bësh fotografinë e Shqipërisë apo
të shqiptarëve sot, pra gati një çerek shekulli pas rënies së
komunizmit, do të vëresh se gjithnjë e më shumë ne paraqitemi si një
vend grotesk dhe i sunduar nga kontrastet e thella që nxjerrin në pah
krizat e rënda që po përjetojmë.

Ashtu si në fillim të shekullit, ne shqiptarët që gjendemi në katër shtete, përkatësisht  Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi po vuajmë krizën e identitetit. Shqiptarët nuk janë në një mendje me qëndrimin ndaj pushtimit otoman pesëshekullor. Shqiptarët nuk e kanë shpjeguar sa dhe si duhet konvertimin masiv në islamizëm, ashtu siç nuk e kanë shpjeguar mirë edhe njëfarë tërheqjeje dhe gati lënie në mëshirë të fatit të shqiptarëve prej Vatikanit sidomos kur hordhitë otomane nisën të nxijnë Europën. Po të studiohen me kujdes sot autorët e mëdhenj të Letërsisë së Vjetër Shqiptare apo Katër B-të e mëdha, do të vëresh gjëra nga më të çuditshmet. Te letrat e Bogdanit drejtuar Propagandës Fide apo Vatikanit, një përmbledhje e botuar nga Odette Marquet, krahas thirrjeve të përshpirtshme të Bogdanit të madh për të sjellë në Shqipëri priftërinj të përkushtuar dhe vendës, mësojmë se në një rast, p.sh., në një festë fetare, fshatarët e një fshati në Shkodër nisen për në kishë, por e gjejnë atë mbyllur. Të mërzitur me priftin e tyre, ashtu siç ishin, drejtohen në xhami dhe konvertohen që të gjithë në myslimanë. Natyrisht kjo nuk errëson të vërtetat tragjike që tregojnë krimet e llahtarshme apo banjat e gjakut mbi kristianët shqiptarë që nuk pranonin të konvertoheshin, ashtu siç nuk mund të harrohet edhe martiri Pjetër Bogdani. Turqit otomanë, pra stërgjyshërit e këtyre turqve që kërkojnë sot rishikimin e historisë e nxorën kufomën e Bogdanit dhe ua hodhën qenve për ushqim në pazarin e Prishtinës. Po ashtu, është një fakt i pamohueshëm që shqipja është ndaluar të përdoret me një dekret të posaçëm perandorak në shekullin XVIII po prej paraardhësve të turqve të sotëm. Ndërkaq është e vërtetë gjithashtu se shqiptarët jetuan në një supershtet të madh siç ishte Perandoria Otomane dhe, në të shumtën e rasteve, u përshtatën, shfaqën talentin e tyre si qeveritarë, si ushtarakë apo edhe si shkrimtarë. Shqiptarët janë populli që harron në mënyrën më tragjike. Historia jonë e krijimit të vetëdijes kombëtare është lufta për mbijetesë. Dhe fqinjët tanë kanë qenë armiqtë tanë më të mëdhenj. Kjo nuk do të thotë se ne kemi qenë vetëm viktima. Jo, edhe ne i kemi masakruar fqinjët tanë. Mjaft të kujtojmë Ali Pashë Tepelenën. Copëtimi i Shqipërisë është një fakt që vërtetohet edhe sot, por kjo nuk do të thotë që shqiptari i Shqipërisë të mendojë apo të ndiejë historikisht njësoj si shqiptari i Maqedonisë apo i Kosovës. Shqiptarët e Maqedonisë apo të Kosovës janë rritur me ndjenjën e urrejtjes për tjetrin e ndryshëm në gjuhë, në fe e në kulturë. Për ta kryqi ortodoks ishte sinonim i armikut më të egër. Ndaj unë e mirëkuptoj Kim Mehmetin kur thotë se myslimanizmi e ka shpëtuar Kimin. Unë nuk i paragjykoj ata shqiptarë që protestojnë në Maqedoni me flamur arab. Me një ndryshim. Ata kanë zgjedhur të mos jenë shqiptarë, kanë zgjedhur të identifikohen me kombësinë myslimane arabe. Kjo është zgjedhja e tyre. Zgjedhja ime është se unë vijoj të jem shqiptar. Identifikimi me gjysmëhënën apo me turçeninë është e drejta e tyre. Ne nuk kemi përse të trishtohemi nëse kriptoshqiptarët e Maqedonisë që e ndiejnë veten myslimano-arabë duan të ndërrojnë edhe shenjat etnike. Kjo është zgjedhja e tyre. Unë nuk e di se çfarë i lidh me Francën banorët e asaj pjese të Belgjikës që flet frëngjisht apo të asaj pjese të Zvicrës që flet frëngjisht gjithashtu. Duam apo nuk duam ne, Shqipëria sot mbeti shteti që ka si fe dhe si shenjë shqiptarinë. Shqiptarët ortodoksë, katolikë e myslimanë që jetojnë në Shqipëri nuk kanë asnjë iluzion se identiteti i tyre është europian dhe Tirana është metropoli i vërtetë i shqiptarëve, se arbëreshët e Italisë janë memoria jonë kolektive dhe imazhi ynë që nuk shuhet. Të tjerët, shqiptarët që jetojnë në shtete të tjera janë të lirë të identifikohen me cilindo vend apo besim. Fitorja e madhe e shqiptarëve është arritur. Sot ata janë faktor vendimtar për zhvillimet e mëtejme në Ballkan.

Mirëpo, kronika në shumë raste flet ndryshe. Shqiptarët janë një popull defektoz dhe me një sjellje makabre sidomos ndaj femrës. Pak ditë më parë, një baba në Lezhë, katolik, jo mysliman, e vret vajzën 19-vjeçare për nder. Pak ditë më parë. disa djem të rinj mu në mes të Tiranës e vrasin bashkëmoshatarin e tyre vetëm për një shikim, pra për shkak të sedrës dhe të krenarisë. Nga kjo pikëpamje ne jemi njësoj si këtu e qindra e qindra vjet më parë. Te romani “Bardha e Temalit” i shkrimtarit gjenial Pashko Vasa ka një episod. Vlashi, një nga personazhet e romanit, e detyron të bijën të pijë helm pse ajo ka parë me një vështrim ndryshe një djalë të ri. Po ashtu, një nga trimat e Lulit vritet me një të ri shkodran vetëm se ai po e shihte pak si ndryshe, njësoj si djemtë e Kodrës së Priftit. Pra, në këtë rast dhe në shumë e shumë mbrapshti të tjera, fajin nuk na e kanë pushtuesit.

Përmenda në titull dy emra, atë të trajnerit të Kombëtares Shqiptare, italianit Xhani de Biazi dhe atë të Stefan Fyles. I pari është bërë simbol i paraqitjes europiane të Shqipërisë. Nëse ka një renditje ku Shqipëria ngjitet, ky është futbolli. Mirëpo ne si i përgjigjemi? Me shkatërrimin e terreneve sportive. Ne, në njëzetë e ca vjet tranzicion nuk ndërtuam një stadium, një, vetëm një stadium. Sot futbolli është bërë modeli ku identifikohemi të gjithë. Ndërsa ne sillemi si barbarë dhe nuk kemi terrene sportive. Stefan Fyle, vjen në Tiranë dhe nuk pranon në shenjë revolte të takojë asnjë politikan shqiptar. Po ne si i përgjigjemi, duke mos i shkuar në aktivitet. Po në këtë rast, kush na e ka fajin Turqia, Greqia apo Serbia ? E kam përmendur edhe një herë tjetër, Fishta kishte të drejtë kur shkroi në vitin 1907 poemthin “Metamorfosis”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel