Superiore, fitojnë Vllaznia e Tirana

31/03/2013 20:40

Të dielën janë luajtur edhe dy ndeshjet e fundit të kësaj jave të 20-të të Superiores, duke e ulur siparin e saj.

Duke shfrytëzuar edhe ndalesën e Teutës, me Flamurtarin të shtunën, Vllaznia e Artan Bushatit ka arritur të ushtrojë më shumë presion te kundërshtarët që ka përpara, në pjesën e sipërme të tabelës.

Me fitoren 2-1 ndaj Tomorit, shkodranët ndajnë tashmë vendin e 5-të dhe të 6-të me Tiranën, në kuotë të barabartë pikësh, nga 32 secila.

Dy herë Hajdari dhe Mitraj ishin autorët e golave, që në pjesën e pare, pasi në të dytën asnjëra nga skuadrat nuk mundi të godasë portat kundërshtare.

Rikthehet me tripletë Tirana e 24 titujve kampionë, duke bërë autokritikë bindëse, pas turpërimit në ndeshjen e shkuar përballë Flamurtarit.

Një pjesë e parë, jo shumë pozitive, por gjërat ndryshojnë shumë në të dytën. Skuadra e Nevil Dedes ia ka dalë të shënojë tri herë dhe të marrë 3 pikë me vlera në Krujë.

Tashmë diferenca e tyre me Kukësin e Flamurtarin është katër pikë, ndërsa nga Teuta e vendit të dytë 6 pikë. Një hendek i rikuperueshëm teorikisht, po të kemi parasysh numrin e pikëve që janë ende në lojë, deri në fund të kampionatit.

Top Channel