Besimtarët katolikë do të kremtojnë të dielën Pashkët Katolike, ditën e ringjalljes së Krishtit. Pak para mesnate fillon vigjilja e Pashkës, që në shumë raste quhet sherbesa e mesnatës.
Kryeipeshkvi Imzot Rrok Mirdita i ka ururar të gjithë besimtaret katolikë, të cilët në mesnatë kujtojnë proçesionin e kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë.
“Sonte vjen shpresa. Ai që i ka mundësuar atit të shenjtë këtë kryq është ringjallur. Vjen sonte tek ne të na thotë ‘paqja është me ju’. Krishti i mbushtë jetët tuaja me paqe. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët”, është shprehur Rrok Mirdita.
Nishani uron besimtarët katolikë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar besimtarët katolikë për festën e Pashkës. Në mesazhin e tij, kreu i shtetit vlerëson simbolikën dhe mesazhet që përcjell kjo festë, e rëndësishme për paqen mes njerëzve.
“Pashkët mbajnë simbolika nga më domethënëset, më të bukurat e më të vlefshmet. Pashkët janë shembulli më i vyer i rrugës së mundimshme e të bukur drejt virtytit. Pashkët na kujtojnë ringjalljen, këtë mrekulli njerëzore e qiellore”, është shprehur Nishani.
Top Channel