MUSTAFA NANO – Sikur të më kërkonin se çfarë di me siguri se do të ndodhë pas 23 qershorit, në rrethanat hipotetike të ndryshimit të mazhorancës qeverisëse, unë nuk do dija të thoja ndonjë gjë të madhe.
Nuk e kam të qartë në terma konkretë e në një numër drejtimesh se çfarë ndodh, nëse vendi bie nën drejtimin e socialistëve e të Edi Ramës. Por unë di me një farë sigurie se çfarë nuk do të ndodhë më në rast se Berisha largohet nga politika; në mos, nga timoni i vendit. Dhe në këtë pikë, me synimin për t’iu afruar një numri më të madh lexuesish me gjërat që do them, nuk po fus në kandar që në këtë rast largohet nga pushteti (gjithnjë, nëse largohet) një njeri, që ka vrarë njerëz për të mbajtur atë të flamosur pushtet (e kam fjalën në radhë të parë për 21 janarin 2011), një njeri që ka pasur të birin pjesë të atij biznesi të paligjshëm në Gërdec, për shkak të të cilit u provokua ploja që pati 26 viktima të pafajshme, një njeri që i ka dhënë të bijës carte blanche për të tërhequr fijet e të gjitha parave, të pasurive e të lëvizjeve në administratën publike të këtij vendi etj, etj. Jo, po përpiqem të fus në kandar gjëra të tjera, të cilat kanë ndodhur e të cilave, nuk di për ç’arsye, nuk u është dhënë ndonjë peshë e madhe, s’ka gjë se ato janë të rënda e s’ka gjë se ato kanë ndodhur faqe botës (faqe botës, madje me prova fare të qarta, ndodhi dhe 21 janari, por po i lë ngjarje të tilla mënjanë, pasi në këtë mënyrë do t’më ngarkohej ky shkrim ca si tepër me “qëndrim”).
Edhe në këto rrethana, lista e gjërave që nuk do të ndodhin më, nëse Berishën e largojnë nga pushteti, është e gjatë, por unë po bëj një listë të reduktuar:
1. Berisha ka bërë vazhdimisht tubime dhe ai është i vetmi Kryeministër në botën demokratike që gjen e sajon raste për të bërë mitingje pa fund. Nuk lë datë pa e kthyer në festë, e nuk lë festë pa e shndërruar në një harbim me të vetët. Harbimi i fundit ishte ai me rastin e përvjetorit të 21-të të 22 marsit 1992. “Aktivitete” të tilla kryeministrore nuk kanë për të ndodhur më.
2. Berisha i ka mbushur sheshet në raste festash me njerëz të administratës publike. Kjo s’ka për të ndodhur më, jo sepse administrata do të ngrihet mbi baza meritokratike (kush e mendon këtë, gënjen veten), por sepse, në mungesë të harbimeve qeveritare me mitingashë, nuk do ketë nevojë për ta.
3. Berisha nuk lë ngjarje fetare pa “e celebruar” në mënyrën e vet, d.m.th me një vizitë në një objekt kulti e me një fjalim të fortë politik në dalje të objektit të kultit, nën shoqërinë e klerikëve që janë zotër shtëpie. Nuk ka për të ndodhur më.
4. Nuk do të kemi më fjalime kryeministrore në mbledhje të qeverisë përpara kamerave dhe në prani të ministrave të mumifikuar. Nuk do të kemi, jo ngaqë nuk gjenden ministra për të shërbyer si sfond i litanisë kryeministrore në këtë rast, por ngaqë Rama nuk duket i prerë për gjëra të tilla. Nuk do të kemi më një Kryeministër që në të njëjtat mbledhje do të flasë për Leo Messin, për gjethet e ferrës, për rakinë e manit, etj. Për më tepër, nuk do të kemi më një Kryeministër që shtie në punë zyra e salla qeveritare e shtetërore për të sulmuar opozitën, opozitarët, aktorë të jetës publike e gazetarë.
5. Nuk do të ndodhë më që Kryeministri të pushtojë foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, e prej andej, me orë të tëra, të përgojojë, kërcënojë, baltosë me zë të çjerrë çdokënd që s’i vjen sipas midesë.
6. Nuk do të kemi më një Kryeministër që, me t’u dhënë dorën një a disa shtetarëve të huaj jashtë vendit, i fton ata për një vizitë në Shqipëri, dhe me t’u kthyer në Rinas zë e i përmend një e nga një, me emër e mbiemër, duke i cilësuar dhe “miq të mëdhenj të Shqipërisë”.
7. Nuk do të kemi më një Kryeministër të tipit Çavez, që broçkullis në TV pa u lodhur nga mëngjesi në mbrëmje.
8. Nuk do të kemi më një Kryeministër që të ketë pacipësinë të shkojë nëpër shkolla tetëvjeçare, e në fjalimet “e improvizuara” përpara nxënësve të sulmojë si armik të kombit kundërshtarin e vet politik.
9. Nuk do të kemi më një Kryeministër që do të lëvizë me dhjetëra roje trupi e gardistë pas vetes.
10. Nuk do kemi më një Kryeministër që nuk lë gjë pa përuruar në mënyrë zyrtare e të bujshme, që nga rrugët rurale të shtruara me çakull e deri te çezma e re e ndonjë fshati.
11. Nuk do të kemi më policë e gardistë, që do të mbajnë në zyrat e tyre fotografinë e Kryeministrit (siç ishte rasti i drejtorit të SHKB-së në Gjirokastër, që i kish mbushur muret e zyrës me foto të Berishës).
12. Nuk do të kemi më peticione intelektualësh në mbrojtje të pushtetit; nuk është se do të mungojnë intelektualët e gatshëm për të nënshkruar peticione të tilla, por mendja ma thotë se “intelektualë” të tillë mund t’i mobilizojë veç Berisha.
Sa më sipër përbëjnë një pjesë të sfondit të regjimit berishian. Mund të duken çikërrima, por nuk janë të tilla. Një pjesë janë të shëmtuara, një pjesë janë të rrezikshme e ndonjë sosh është dhunim i rregullave dhe i logjikës më elementare, mbi bazën e të cilave ngrihet e funksionon një shtet e një shoqëri normale (fjala vjen, që një Kryeministër të takojë fëmijët 10-13 vjeç e t’u mbushë mendjen atyre pse i pari i opozitës nuk e do vendin e tyre, është një gjë që s’mund të përfytyrohet; është në të njëjtën kohë shenjë se ky shtet ka ikur për lesh).
Mund të mendohet se edhe Edi Rama mund t’i bëjë gjeste të tilla, por unë nuk e kam këtë dyshim, sidoqë duket i arsyeshëm. Nga Rama kryeministër nuk bëjmë keq të ruhemi për një numër arsyesh e të kemi dyshime mbi një numër gjërash, por situata si të mësipërmet mund të quhen të kapërcyera me rrëzimin e Berishës. Dhe – përsëris – ky i fundit nuk duhet rrëzuar thjesht për shkak të këtyre situatave. Ai duhet rrëzuar për bëma e zullume shumë më të mëdha e të rënda, për të cilat shumëkush uron e parashikon prangat në duar e tij, e në duart e të vetëve.
Top Channel