F1, Ecclestone mbron Vettel-in

30/03/2013 00:00

Bernie Ecclestone, pronari i Formulës 1, ka dalë në mbrojtje të Sebastian Vettel, i cili nuk iu bind urdhrave të skuadrës në Cmimin e Madh të Malajzisë dhe parakaloi shokun e skuderisë, Mark Webber, duke arritur fitoren dhe vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm.

“Nëse do të isha unë në vend të Vettel, me tre tituj botërorë të fituar, do të kisha bërë të njëjtën gjë. Kur dikush në radio të më thonte se çfarë të bëja, do i përgjigjesha: e di vetë se çfarë bëj”, theksoi britaniku për ‘Sky Sports’.

“Vettel nuk është humbës, është një pilot fitues”, shtoi Ecclestone për pilotin gjerman të Red Bull.

Nga ana e tij, Sebastian Vettel i ka kërkuar falje skuderisë Red Bull për parakalimin kundër urdhrave ndaj Mark Webber, shokut të skuadrës, në Cmimin e Madh të Malajzisë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë shefi i Red Bullit, Christian Horner.

Piloti gjerman, tre herë kampion bote në tre vitet e fundit, vizitoi fabrikën e skuderisë Red Bull në fillim të javës dhe premtoi që sjellja e tij në Sepang nuk do të përsëritet më.

“Tha që kishte gabuar dhe i kërkoi falje të gjithë stafit”, deklaroi Horner për ‘Sky Sport News’.

Top Channel