SHBA, rritja ekonomike, mbi pritshmëritë

29/03/2013 08:45

Ekonomia amerikane u rrit përtej pritshmërive, me 0,4% në tremujorin e fundit të vitit 2012.

Këtë të dhënë e treguan shifrat zyrtare, të publikuara ditën e premte nga Departamenti i Tregtisë.

Për shkak të disa vështirësive ekonomike të fundvitit, më parë ishte parashikuar që ekonomia më e madhe në botë do të mbetej në stanjacion në tetor-dhjetor 2012, duke regjistruar një rritje prej vetëm 0,1%.

Ishte një rritje e investimeve, ajo që ndikoi për t’i dhënë një impuls pozitiv ekonomisë.

Megjithatë, Departamenti paralajmëroi se shkurtimet qeveritare në mbrojtje dhe shpenzimet e tjera mund të dëmtojnë rritjen në muajt e parë të 2013-s.

“Ndërsa rritja ekonomike ishte më e lartë nga sa pritej, rishikimi i shifrave nuk ndryshon gjendjen e përgjithshme të ekonomisë amerikane”, shkruhej në raport.

Gjithsesi, rritja e shit-blerjeve në tregun e pasurive të patundshme dhe investimeve të përgjithshme, rrisin shpresën për rikthimin e një ritmi të rëndësishëm rritje të përgjithshme të ekonomisë më të madhe në botë.

Top Channel