Reformimi i tregut të punës

29/03/2013 00:00

Cili është preokupimi ynë më madhor? Si të ndihmojmë njerëzit e papunë. Si të vendosim një qëndrim sa më aktiv ndaj tyre? Si të përdorim ndihmën për papunësinë dhe ndihmën ekonomike?

Këto pyetje dhe disa të tjera, kryeministri Sali Berisha i ngriti gjatë bashkëbisedimit me akademikë dhe ekspertë të tregut të punës, për të marre prej tyre sugjerime rreth projektit të Partisë Demokratike për reformimin e tregut të punës. Modeli, ku është bazuar ky projekt është ai i Gjermanisë, i vlerësuar si një nga shembujt botërorë të suksesit për dinamizimin e tregut të punës.

“Ndoshta parimi më themelor i kësaj reforme është se çdo punë është më e mirë sesa ndihma e shtetit. Kushti themelor i reformës, që diskutojmë, është se duhet të pranosh punën që të ofrohet, përndryshe vetëdënohesh”, tha Berisha.

Sipas kryeministrit Berisha, këto parime të modelit gjerman do të aplikohen edhe në Shqipëri, nëse Partia Demokratike fiton një mandat tjetër qeverisës. Reforma synon edhe plotësimin me staf më sasior dhe më cilësor të agjencive publike të punësimit, sepse, aktualisht, 1 agjent punësimi ndjek rreth 600 të papunë, kur standardi është 1 me 150. Aktualisht, të papunët regjistrohen në bllok, pa kualifikimin përkatës. Reforma e re synon të përshtasë edhe këtu modelin gjerman.

“Tí klasifikojë në katër kategori, lehtësisht të punueshëm, deri në kategorinë e katërt vështirësht të punueshëm. Duke u përqendruar sipas kategorive, edhe efiçenca rritet më shumë. Objektivi ynë është se si të arrijmë, që me një nivel të caktuar të rritjes ekonomike të kemi maksimumin e mundshëm të punësimit” shtoi më tej Berisha.

Gjatë këtij takimi, sikurse në takimet e ditëve të fundit me përfaqësuesit e biznesit, Berisha ka vënë në dukje rritjen e ekonomisë shqiptare dhe rezistencën e saj ndaj krizës globale.

“Shqipëria gjatë këtyre viteve pati një rritje të lartë ekonomike dhe nuk ra pre e krizës. Qeveria ndërmori reforma që ndikuan tek ekonomia e tregut dhe tek tërheqja e investimeve të huaja”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, pika e dytë e fortë e ekonomisë së favorshme shqiptare ka qenë thithja e investimeve, që sipas tij kanë arritur në miliarda dollarë.

“Investimet publike kanë qenë 12 miliardë dollarë. Kryesorja në këtë proçes është ruajtja e taksës së sheshtë dhe një seri sfidash që vijnë nga pas”, ka thënë kryeministri, duke shtuar se objektiv i qeverisë së tij në mandatin e ardhshëm do të jetë punësimi.

“Ne do bëjmë gjithçka për punësimin. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të sjellë në epiqendër tregun e punës. Ju garantoj që ne kemi shumë elementë me të cilët do të bëjmë lidhje të fuqishme dhe do bëjmë interaktiv biznesin”, ka shtuar Berisha.

Por pavarësisht vlerësimeve pozitive dhe premtimeve të tij, në takimin e djeshëm me përfaqësuesit e biznesit të huaj, kryeministri hasi në kundërshtimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, që deklaroi se klima e biznesit në vend nuk është aspak e favorshme për investime.

“Ne do donim të ftonim bizneset amerikane në Shqipëri, për të prezantuar teknologji, shërbime e mallra të reja. Por ne nuk kemi pasur sukses në këtë përpjekje, për shkak të klimës së pafavorshme”, deklaroi përfaqësuesja e DHA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA