PS prezanton programin në Fier

29/03/2013 00:00

Fieri ishte ndalesa e radhës e Partisë Socialiste ku prezantoi programin e saj qeverisës, “Rilindje Kombëtare”. Në fjalën e rastit, para mbështetësve socialistë, deputeti Saimir Tahiri denoncoi atë që ai e quajti situatë alarmante të krimit në vend.

“Krimi sot është një hap para shtetit. Shifrat e veprave kriminale janë shumëfishuar ndërsa Policia e Shtetit nuk bën dot asgjë sepse është e korruptuar. Vrasjet dhe vjedhjet janë shndërruar në fenomen të përditshëm”, tha zoti Tahiri.

Më tej, deputeti socialist, duke iu referuar arrestimit e më pas lirimit nga gjykata për akuzën e trafikut të barnave mjekësore të babait të tij, e cilësoi këtë akt një sulm e presion të pastër të pushtetit që bëhet për t’i mbyllur gojën atij dhe gjithë socialistëve që denoncojnë korrupsionin qeveritar.

“Por as unë dhe asnjë nga kolegët e mi nuk i përulet sulmeve të pushtetit dhe Sali Berisha nuk i shpëton dot daljes para drejtësisë pas 23 qershorit”, tha Tahiri.

Zoti Tahiri deklaroi se me ardhjen në pushtet, Partia Socialiste do të sigurojë strehim dhe punësim për familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës.

Top Channel