Një takim vendimtar për të ardhmen politike të Italisë do të mbahet më vonë gjatë së premtes në zyrën e presidentit Napolitano, pasi një javë bisedime nuk i shërbyen Pier Luigi Bersanit, drejtuesit të Partisë Demokratike, për të formuar një qeveri.
Partia Demokratike (në Itali një parti e majtë) u rendit e para në zgjedhjet e shkurtit, por ndërsa gëzon një shumicë të lehtë në dhomën e ulët të Parlamentit, nuk ka numrat e duhur për t’u votuar në Senat.
Bisedimet e Bersanit për kabinetin u përqendruan me lëvizjën e komedianit Grillo, “Cinque Stelle”, që u rendit si partia e parë më e votuar (koalicioni i tretë në total, pas atij të Bersanit dhe Berlusconit), me 25% të votave.
Megjithatë, kushti i Grillos për të bashkëpunuar vetëm nëse do t’i ofrohej vendi i kryeministrit, beri te pamundur konkretizimin e nje marreveshje.
Duke shprehur zhgënjimin e tij, Bersani deklaroi në orët e vona të së enjtes, në mbylljen e negociatave, se “qëndrimet e disa politikanëve janë tërësisht larg realitetit, të papranueshme dhe larg kontaktit me vullnetin qe italianet shprehen ne zgjedhjet e muajit shkurt”.
Një ditë më parë, lideri i së majtës italiane pati sulmuar pozicionin e Grillos, duke thënë se vetëm një i “sëmurë mendor” do të kishte një vullnet të tillë të “përvëlueshëm”, për të drejtuar vendin në këtë moment që po kalon.
Në këto kushte, takimi i së premtes me presidentin Napolitano, që do të grumbullojë të gjithë liderat politikë, mund të jetë përcatues për fatet e ardhshme politike të vendit.
Nëse asnjë parti nuk do të arrijë të gjejë një marrëveshje për të formuar një qeveri brenda ditëve të ardhshme, atëherë Italia do të detyrohet të mbajë zgjedhje të reja në muajin qershor, një mundësi që po duket gjithmonë e më e mundur.
Pas pesë javësh bisedimesh, tre blloqet kryesore politike refuzojnë të formojnë aleanca midis tyre, ndërsa asnjë aleancë tjetër, e një prej këtyre tre koalicioneve me një parti të katërt nuk do të garantonte shumicën në parlament.
Ngërçi politik në Itali ka ndikuar negativisht në krizën ekonomike të ekonomisë së tretë më të madhe në Eurozonë.
Aktualisht, Italia është duke u përballur me rënien ekonomike më të gjatë në 20 vjet, që ka shkaktuar rënien e indekstit të kreditit në vlerësimin e rrezikshëm BBB+.
Gjithashtu, Italia përballet me një borxh kombëtar kolosal, i cili kap vlerën e 2,6 trilion dollarëve (120% e PBB-së).
Top Channel