UEFA, kundër teknologjisë së vijës fatale

28/03/2013 19:10

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, kundërshtoi përdorimin e teknologjisë së vendosur në vijën fatale në kompeticionet europiane, me argumentin se zbatimi i një projekti të tillë do të ishte tepër i kushtueshëm.

“Nëse përdorim teknologjinë për monitorimin e vijës fatale në Champions League dhe Europa League, duhet të vendosim pajisjet në çdo fushë që do të zhvillohen ndeshjen. Do të duhet të instalonim këtë teknologji në 280 fusha, të cilat do të shtohen vit pas viti dhe pas montimit të pajisjeve, duhen hequr për ndeshjet e radhës në kampionat”, deklaroi Platini gjatë së enjtes, në një konferencë për shtyp të mbajtur gjatë takimit të UEFA-s në Sofie, Bullgari.

Në një vlerësim të faturës, Platini përllogariti se ky projekt do t’i kushtonte 54 milionë euro në pesë vjet UEFA-s nëse do të zhvillohet, para që sipas francezit, mund të përdoren shumë më mirë për zhvillimin e skuadrave të të rinjve apo përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në shumë vende.

Vendimi i UEFA-s për teknologjinë e vijës së rreptësisë bie ndesh me atë të FIFA-s, që ka vendosur të përdorë këtë sistem në ndeshjet e ardhshme të Kupës së Konfederatave dhe do të vlerësojë për përdorimin e saj edhe në Botëror.

Top Channel