Paradoksi i taksës së pagave

28/03/2013 15:10

Vendimi i qeverisë që heq tatimin mbi të ardhurat për pagat e ulëta krijon një kontradiktë në kufijtë e paradoksit. Sipas draftit, punonjësit me pagë bruto deri në 30 mijë lekë në muaj çlirohen nga detyrimi për tatimin mbi të ardhurat.

Por ata mbi këtë nivel do të vazhdojnë ta paguajnë këtë tatim në masën 10 për qind. Thyerja e menjëhershme e fashës krijon anomalinë duke bërë që një i punësuar të përfitojë më pak, edhe pse mund ta ketë pagën më të lartë se një tjetër.

Më konkretisht, një i punësuar me pagë 31 mijë lekë përfiton neto 27 mijë e 900 lekë, sepse 3.100 lekë mbahen si tatim. Ndërsa një punonjës tjetër me pagë 30 mijë lekë përfiton neto po prapë 30 mijë lekë, sepse nuk paguan tatim.

Llogaria nuk përfshin kontributet të cilat gjithësesi kanë efekt gati neutral pasi paguhen për të gjitha pagat. Ky paradoks prek të gjithë punonjësit me paga në fashën nga 30 mijë e 1 lekë deri në 33 mijë lekë, të cilët do të përfitojnë realisht më pak se kolegët e tyre me paga më të ulëta. Masa ka dy efekte në treg.

Në sektorin privat ajo krijon presione për shmangie të taksave, ku të punësuarit me paga nga 30 mijë e 1 lekë deri në 33 mijë lekë janë të prirur të kërkojnë marrëveshje me biznesin ku punojnë për të ulur pagën.

Presioni është i lartë sepse edhe vetë biznesi është i interesuar për ulje të pagës, pasi kështu lehtësohet nga sigurimet. Ndërsa në sektorin publik, vendimi krijon anomalinë duke bërë që një punonjës në rang më të lartë të përfitojë më pak se një tjetër që ndodhet më poshtë hierakisë zyrtare të pagave.

Kur iu përgjigj akuzave se po kopjonte programin e opozitës, kryeministri tha se ky vendim ishte rezultat i një diksutimi dyvjeçar. Por përgjatë kësaj kohe ekspertët e Ministrisë së Financave, apo stafi që këshillon kryeministrin për politikat fiskale, nuk ka mundur t’i japë zgjidhje këtij paradoksi që krijon një deformim jo të vogël në treg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA