Andrea Stefani – Ndërsa mitologjia mbi tri ligjet magjike të integrimit është fryrë si një flluskë që ka arritur pikën e plasjes, është zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve më të larta europiane që po shfaqet si kryekusht përcaktues për integrimin. Mesazhi është sjellë më i qartë se kurrë në Tiranë nga vetë Stefan Fyle, komisioneri për Zgjerimin.
“Mënyra se si do të bëhen zgjedhjet do të jetë shumë e rëndësishme për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë” – tha Fyle në një intervistë për mediat e Tiranës. Pra, zgjedhje të manipuluara, të vjedhura nga qeveria dhe për rrjedhojë me rezultat të kundërshtuar nga opozita, do të thotë rrezikim serioz i procesit të integrimit të Shqipërisë në Europë. Ndoshta një divorcim përfundimtar i saj nga ky proces për t’u rikthyer prapa në bashkësinë e shteteve autokratike pa demokraci, liri dhe drejtësi.
***
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka kohë që po i mëshon rëndësisë së veçantë që kanë zgjedhjet e qershorit për integrimin duke lënë qartazi në hije, pretendimin e PD dhe LSI për urgjencën thelbësore që gjoja paraqet për integrimin, miratimi i tri ligjeve aq të debatuara. Pra zgjedhje të lira të ndershme do të thotë integrim me Europën ndërsa e kundërta, do të thotë jo integrim. Ndërkaq dihet se zgjedhjet i organizon qeveria. Ajo ka edhe gurin edhe arrën për të përcaktuar cilësinë e zgjedhjeve. Përgjithësisht janë pushtetet ato që manipulojnë rezultatin e zgjedhjeve. Një opozitë mund t’i obstruktojë zgjedhjet, por vështirë se mund t’i manipulojë ato më favor të saj. Manipulim i rezultatit është thuajse monopol i qeverisë. Gabimi i jo pak ndërkombëtarëve këto ditë është se u bëjnë thirrje të gjithë palëve politike në Shqipëri të kontribuojnë për zgjedhje të lira e të ndershme. Një balancë artificiale dhe e dëmshme “paanësie” sepse, në fakt, mban anën e qeverisë duke ia hequr në avancë një pjesë të përgjegjësisë që ajo duhet të mbajë për cilësinë e zgjedhjeve dhe duke ia kaluar këtë përgjegjësi opozitës. Një zhvendosje e padrejtë e përgjegjësisë që i ka dhënë mundësi kryeministrit Berisha, i njohur tashmë si mjeshtri i manipulimit të zgjedhjeve, të luajë rolin e ujkut që në fabulën e Ezopiti i thoshte që lart, nga buronte ujët, qengjit që ishte poshtë: mos ma turbullo ujin! Edhe Berisha që është lart, atje nga buron “uji” i zgjedhjeve i thotë Edi Ramës: Mos m’i turbullo zgjedhjet!
***
Cili duhej të qe qëndrimi korrekt i kryeministrit? Pak a shumë ai që e skicoi edhe komisioneri Fyle në Tiranë: Të ketë zgjedhje dukshëm aq të mira, sa “të ketë sa më pak terren për kontestimin e tyre”. Nuk është fare korrekte që Kryeministri qahet lart e poshtë se Edi Rama do ta kontestojë rezultatin. E gjithë kjo farsë po perceptohet si një alibi në avancë e Berishës për të justifikuar manipulimin që po përgatit. Duke qenë recidivist në manipulim zgjedhjesh, Berisha nuk ka luksin të fajësojë të tjerët. Aq më tepër kur ai është i vetmi politikan që nuk ka pranuar as edhe një herë të vetme rezultatin e zgjedhjeve parlamentare kur i ka humbur ato. Ndryshe nga viti 2009 kur pengoi transparencën postzgjedhore dhe dogji me nxitim dokumentacionin zgjedhor, këtë herë Berisha ka barrën e provës për zgjedhje të lira e të ndershme. Pranimi i rezultatit lidhet ngushtë edhe me cilësinë e zgjedhjeve. Prandaj, ndryshe nga Fyle, eurodeputetja Doris Pack gabon kur bën thirrje vetëm që të pranohet rezultati. Me këtë qëndrim, ajo është në sinkron me Berishën që ankohet se Rama nuk do t’i pranojë zgjedhjet. Zgjedhjet duhet të organizohen në mënyrë të tillë që, për herë të parë në këto 20 e kusur vjet, të ketë prova që faktojnë standardet e lirisë dhe ndershmërisë së votimit. Nëse jo, kjo do të thotë se Berisha dhe qeveria e tij nuk kanë bërë detyrën. Ai nuk do të mund të lajë dot duart si Pilati për vendime institucionesh të kapura prej tij. Përsëritja e 2009-s apo e 2011-s kur këto institucione, që i rrëmbyen fitoren liderit të opozitës duke ndryshuar rregullat e lojës “pas lojës”, do të ishin prova më e qartë e instalimit të diktaturës informale dhe fundi i demokracisë në Shqipëri. Shqiptarëve do t’u duhet përsëri të dalin e të kërkojnë “liri-demokraci”! Sepse a nuk janë zgjedhje të lira e të ndershme minimumi i demokracisë?
***
Mjerisht duket se Berisha nuk ka në plan zgjedhjet e lira e të ndershme. Dhe jo rastësisht. Gjatë 8 viteve qeverisje ai jo vetëm nuk e luftoi korrupsionin, siç premtoi, por e thelloi duke përvetësuar edhe vetë pjesën e luanit nga benfitet e këtij korrupsioni galopant. Qëndrimi në pushtet i duhet Berishës si mburojë nga ndëshkimi që mund të vijë pas rënies nga pushteti. Ashtu sikundër ndodhi me Sanaderin në Kroaci. Ndërkaq, organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme do të thoshte ta rifutje Shqipërinë në procesin e integrimit gjë që Berisha e ka po aq frikë sa zgjedhjet e ndershme që mund t’ia heqin pushtetin që e mbron. Berisha i trembet Europës, si djalli temjanit, sepse Europë do të thotë drejtësi, do të thotë ndëshkim të korrupsionit. Prandaj nuk mund të mos vjedhë votat! Prandaj nuk mund të mos jetë kundër integrimit! Qarjet e tij për tri ligjet që gjoja bllokuan integrimin, janë lotët e krokodilit që tenton të fusë ndër dhëmbë foshnjën e integrimit. Dhe me siguri do ta gëlltisë këtë foshnje, nëse do arrijë të qëndrojë edhe këtë herë në pushtet.
Top Channel