“La Roja” fiton supersfidën me Francën në Paris

27/03/2013 02:10

Ishte e detyruar të fitonte dhe në fund nuk ka dështuar në misionin e saj. Pavarësisht një performance të mirë nga Franca, Spanja arrin të triumfojë 1-0 në Paris, duke parakaluar në klasifikim pikërisht “transalpinët”, për t’u ngjitur sërish në vendin e parë të grupit I, duke evituar momentalisht ndeshjet “play-off”.

Ai që vendosi këtë ndeshje, në përgjithësi e ekuilibruar, teksa Franca kishte rastet më të volitshme, ishte Pedro, i cili 12 minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë devijon në portë një krosim të Nacho Monreal. Mesfushori francez, Pogba e përfundoi para kohe ndeshjen, pas kartonit të kuq, si rezultat i dy të verdhëve radhazi.

Gjithsesi, rëndësi pati vetëm ai gol i Pedro-s, i cili peshon shumë në garën për Botërorin “Brazil 2014”, në një kohë kur klasifikimi flet qartë për iberikët: Spanja 11 dhe Franca 10 pikë. Nëse do të përfundonin këtu eliminatoret, “La Roja” do të kualifikohej drejtpërdrejt në Brazil, ndërsa “Gjelat” do të duhej të luanin dy sfida shtesë.

Një dramë e vogël, sigurisht, por asgjë e madhe për t’u shqetësuar, duke parë që kombëtarja e drejtuar nga Deschamps rritet vazhdimisht, me një marzh të mirë përmirësimi.

E megjithatë, fakt është që këtë herë u shkoi keq, pavarësisht përpjekjeve të shumta, duke nisur që tejmbushja e stadiumit, i cili i jepte zemër ekipit francez në çdo aksion, si të ishte një finale e Kupës së Botës, e deri tek ato 4 raste flagrante, 2 prej të cilave vetëm për vetëm me portierin, dhe një tjetër tepër i rëndësishëm.

Më shumë nuk mund të kërkoje kundër kampionëve të botës në fuqi dhe kampionëve të dyfishtë të Europës, është e pamundur… E pamundur ka qenë edhe për “Gjelat”, të cilët nuk arritën të vinin nën kontroll bandën e Del Bosque-s.

Top Channel