Kodra e Priftit nuk është kodra e hoxhës

27/03/2013 00:00

ARTAN MULLAJ – Rruga e Kokonozëve në Kodrën e Priftit, e cila nuk është rrugë por një shirit toke e shkelur nga njerëzit dhe makinat, ishte në listën e investimeve të Bashkisë së Tiranës për t’u rehabilituar qysh në vitin 2012.

Me të drejtë, kryetari i Bashkisë e pat vënë në listën e investimeve që kanë prioritet, sepse kjo rrugë urgjentisht duhet sistemuar dhe asfaltuar. Aq më shumë që përgjatë saj, në një kanal të hapur dhe në liri të plotë, rrjedhin materiet fekale të lagjes.

Në dimër, kanali fryhet prej shirave dhe ujërat e zeza dalin në rrugë e më pas pushtojnë lagjen, oborret, shtëpitë. Gjatë verës, këtu sundon një aromë e pështirë dhe mes këtij kutërbimi, banorët jetojnë të shqetësuar, në një gjendje që rrezikon gjithnjë e më seriozisht shëndetin e tyre.

Edhe pse me shumë vonesë, më në fund Bashkia e Tiranës vendosi të ngulë një tabelë të madhe përskaj rrugës së prishur, me të dhënat e investimit të premtuar, që do të shënonte fillimin e punimeve. Në këtë tabelë është shënuar vlera e investimit, kompania e tenderuar, koha e kryerjes së punimeve, ku përfshihen kanalizimi i ujërave të zeza dhe asfaltimi i rrugës. Por në të nuk është shënuar kryesorja, data e saktë e fillimit të këtyre punimeve, dhe natyrisht, as data e përfundimit të tyre, duke të krijuar përshtypjen e një dritareje të mbyllur.

Para disa javësh, vetë zoti Basha erdhi në Kodrën e Priftit, në rrugën e Kokonozëve, për të prerë shiritin e vonuar të fillimit të punimeve. Përgëzime! Bashkë me të erdhën me zhurmë e potere buldozerë, traktorë, ekskavatorë, me motorë të ndezur, vetura, punëtorë, me shumicë. Punonjës të Bashkisë, njerëz me lopata dhe uniformë. Një ushtri e tërë. Erdhën zyrtarë të kollarisur, të parfumosur, kamera, gazetarë, para të cilëve, në lumturi të plotë, në eufori të plotë, zoti kryetar i Bashkisë, shpalli fillimin e menjëhershëm të punimeve.

Mbas dhjetë minutash hipokrizie të plotë, gjatë të cilave kryebashkiaku foli për një investim koherent të Bashkisë së Tiranës, sipas të gjitha standardeve europiane, ai u largua nga rruga e Kokonozëve. Por kur iku, ndodhi çudia. Në vend që të fillonte puna, siç tha, ai mori me vete gjithçka kishte sjellë, makinat, traktorët, buldozerët, kamerat, gazetarët dhe vendi u shkretua sërish. Mbetën disa pleq që tek luajnë domino, shohin “gropën e Lulit” që bënë ekskavatorët dhe pëshpërisin: “Po gropa ç’ju duhej?!” Ata rrinë sa më larg kanalit, në një cep ku kanë improvizuar një tavolinë, një copë dërrasë mbi dy gurë. Aty kalojnë kohën e lirë. Në rrugën e Kokonozëve nuk ka makineri që punojnë, se ato ikën bashkë me zotin Basha, për të lënë pas veç pleqve, edhe disa fëmijë të lagjes që luajnë në rrugën me top. Kryebashkiaku u shkul nga rruga e Kokonozëve njëlloj si me shkulm mbërriti, duke lënë pas, veç pleqve dhe fëmijëve, edhe tabelën memece të fillimit të pafilluar kurrë të punimeve.

Edhe pleqtë, edhe fëmijët e kanë harruar zhurmën e ekskavatorëve, por nuk kanë harruar që kur zoti Basha bënte fushatë, pat premtuar, herë duke qeshur, herë duke u ngërdheshur, sheshe sportive për fëmijët e Tiranës në çdo kënd dhe qendra zbavitje për moshën e tretë, që nuk duken gjëkundi.

Kaluan ditë edhe javë, ushtria e punimeve nuk u duk më, por tabela është ende në këmbë, si për të treguar tjetër gjë, jo fillimin dhe mbarimin e punës, por mashtrimin, dështimin.

Unë vetë jam banor i kësaj zone, jam njëri prej tyre. Si anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës kam ndier presionin e zhgënjimit të këtyre njerëzve ndaj punës së bashkisë. Kam ndier vullnetin kolektiv të këtyre banorëve për të tundur një kambanë, që bashkia duhet ta dëgjojë. Nuk mund të mashtrohen këta njerëz thjesht e vetëm për të krijuar imazhin e kryebashkiakut që qesh nëpër kamera. Duhet të dëgjohen sepse është një problem serioz, vihet në diskutim shëndeti i fëmijëve të tyre. Ftoj kryebashkiakun të dërgojë urgjentisht buldozerët dhe ekskavatorët në Kodrën e Priftit! Para tri ditësh ata bënë një protestë, por ndryshe nga ç’deklaruan njerëzit e bashkisë në media, reagimin e tyre nuk e provokova unë, por vetë kryebashkiaku. Këtu është Kodra e Priftit, jo Kodra e Hoxhës. Realiteti nuk mund të jetë ndryshe nga ç’është meqë kryebashkiaku e dëshiron të tillë. Gjërat janë si duken, si janë. Kryebashkiaku bëri një shoë të pandershëm. Shpërdoroi vëmendjen e brishtë të banorëve. Bëri thjesht propagandë, si ato që bën çdo herë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, meqë i ka për zemër: buzëqeshi para kamerave, gati i dolën pupla shpatullave nga ndjesia e të qenët një shpëtimtar, shpalli fillimin e punimeve, që nuk filluan kurrë, mashtroi, dhe bëri në fakt vetëm një vrimë në ujë, në kanal. U zhduk nga Kodra e Priftit me gjithë ekskavatorët e tij, për të shpallur fillime të tjera punimesh në lagje të tjera të Tiranës, ku do t’i lërë gjithashtu gojëthatë banorët. Ai di, ne e dimë, të gjithë e dinë se tabela të tilla, memece e të verbra, piramida mashtrimesh, ka edhe në rrugë e objekte të tjera të pafilluara ende të Tiranës.

Unë nuk provokova por organizova një protestë në Kodrën e Priftit, sepse jam këshilltar i Bashkisë dhe kam për detyrë, do apo nuk do kryebashkiaku, të delegoj shqetësimet e tyre, nëpërmjet medias.

Zoti Basha deklaroi se kjo ishte një përpjekje për ta politizuar problemin. Nuk është e vërtetë zoti kryetar i Bashkisë. Kjo protestë nuk u bë aspak për qëllime politike, sikundër deklaruat një ditë më pas, në kundërprotestën që organizuat në të njëjtin vend, pranë tabelës suaj të mashtrimit. Bashkia që organizon një protestë kundër protestës së banorëve! Ky është modeli juaj! Protestën te Kodra e Priftit, zoti Basha, nuk e inicioi Partia Socialiste apo vetë Edi Rama. Protestën e bënë dhe iniciuan banorët e lagjes! Më besoni, Edi Rama ka punë më të rëndësishme se kaq për të bërë. Dhe, e dini pse dështoi kundërprotesta juaj, një ditë më pas në rrugën e Kokonozëve? Sepse njerëzit e kanë kuptuar modelin tuaj, mënyrën si ju funksiononi në pushtet. Kundërprotesta që bëtë ishte dëshmi e qartë e kësaj. Dështake dhe e turpshme si tabela juaj, kish një qëllim të qartë politik: Mbrojtjen e imazhin tuaj, rritjen dhe ngritjen tuaj, që thënia e Arvizusë për ju, “një yll në ngjitje” të mos vazhdojë të jetë një iluzion.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA