Kandidatë pa identikit Rilindësi

27/03/2013 00:00

ARBEN MANAJ – Të jem brutalisht i sinqertë, kur Kryetarja e Parlamentit tha se kandidatja e PS në Elbasan kishte qenë firmëtare e peticionit për tre ligjet kundër Edi Ramës, mendova se kishim të bënim me një trik elektoral të vetëkuptueshëm për momentin politik në prag të zgjedhjeve, apo një nga mufkat politike që ajo zakonisht lëshon, por kur doli firma dhe deklarata e firmëtares, po aq sinqerisht më la shije të keqe, si shumë shqiptarëve.

Pa dyshim mënyra e mbledhjes së firmave për ato peticione maoiste, ku nën presionin e bukës së gojës, ose diku tjetër për ruajtjen e karriges apo pozicionit zyrtar, ka gjithë elementët e poshtërisë zyrtare aq edhe të mungesës së integritetit intelektual, do argumentonin kritikët, ndërkohë që mbështetësit do e shihnin si shenjë e angazhimit për avancimin e Shqipërisë drejt proceseve vitale integruese.

Unë bëj pjesë te të parët. Por duke iu kthyer argumentimit infantil  të dhënë nga kandidatja tashmë zyrtare e opozitës në Elbasan, nuk mund të mos jem kundër linjës logjike të parashtruar.

Një firmë e hedhur në mirëbesim dhe sinqeritet mbi një letër të bardhë për një iniciativë jopolitike, shfajësohej kandidatja.

Ky justifikim mund t’i falet deri diku një vajze 16-vjeçareje dhe jo një akademikeje. Një i rritur në moshë nuk mund të jetë normalisht aq i papërgjegjshëm, sa të hedhë një firmë në mirëbesim absolut në një listë bashkë me kolegët e saj universitarë, pa e ditur paraprakisht se për çfarë po firmos dhe pa pyetur veten se përse po hidhet kjo firmë.

Ka disa pikëpyetje të mëdha në tërë këtë ngjarje fatkeqe. Duke mos e justifikuar hedhjen symbyllurazi të firmës në një letër apo një firmë të marrë në mirëbesim dhe sinqeritet, nëse realisht ishte kaq tinëzare kjo firmëmarrje, kur e mori vesh zonja apo zonjusha në fjalë se ishte tradhtuar apo prerë në besë?

Logjika ta do menjëherë kur është lexuar nëpër media emri dhe dolën listat e intelektualëve kundër Ramës.

Nëse e mësoi atëherë, a reagoi ajo dhe publikisht a e denoncoi atëherë një firmëmarrje të tillë dhe prerje në besë nga Topalli?

Nëse jo, përse nuk e bëri një sfidim të tillë publik, pasi duket që nuk e ka bërë, sepse do të ishte në lajme tashmë?

A e ka ditur Rama ekzistencën e një firme të tillë nga kandidatja e partisë së tij? Nëse jo, kjo kandidate e a ka vënë në dijeni, si çështje principaliteti, kur është takuar me Ramën për të diskutuar për kandidaturën, se ajo e kishte hedhur qoftë edhe në mirëbesim siç thotë tani, një firmë të tillë, po themi kundër Ramës dhe pro tre ligjeve të famshme?

Nëse nuk ia ka thënë, ku mbetet sinqeriteti i saj dhe besnikëria politike, por edhe njerëzore në relacion me kryetarin e partisë që e kandidoi?

Çdo njeri ka të drejtën e tij të gjykojë dhe mbajë një qëndrim të caktuar për një çështje të caktuar politike, siç ishte çështja e ligjeve, dhe padyshim zonja kandidate në fjalë, është brenda të drejtës së saj të ishte pro miratimit të tri ligjeve, siç e kërkonte Topalli dhe Berisha, pa plotësuar kushtin e opozitës.

Sa ç’është edhe e drejtë e Ramës të zgjerojë gardhin me kandidatë nga jashtë partisë tradicionale me emra dhe prurje që edhe mund ta ketë ditur se kanë qenë pozicionuar politikisht kundër tij në të shkuarën.

Kjo mund të interpretohet edhe si mendjehapje nga ana e udhëheqësit të opozitës dhe kjo është një kosto apo divident që ai do e marrë eventualisht pas 23 qershorit.

Problemi është se një episod i këtillë, lë një shije të keqe në opinionin publik për Rilindjen dhe rilindësit e opozitës. Në botën politike moderne dhe perëndimore, kjo fiasko do të kishte shkaktuar një tërmet politik, pavarësisht nga shkalla e Rihterit. Jam i bindur që edhe guruja britanik i PR-it, tashmë këshilltar i Ramës, Alastair Campbell, më jep të drejtë në vetvete.

Do të ishte naive të mos besohej se kjo që ndodhi nuk i jep avantazh të pavetëmerituar politik pushtetit dhe Berishës, duke e nxjerrë Ramën në rastin më të keq si joserioz. Aq më tepër kur kritikët e tij e sulmojnë se i mungon alkimia me Partinë tradicionale Socialiste, dhe si një politikan që simbolizon një transplant politik sesa një masë e vetërritur nga organizmi socialist.

Rama është në një pozitë të sikletshme dhe të palakmueshme politike në këtë ndodhi dhe ndoshta do të duhet ta mbrojë dhe ta shesë si mendjehapje prurjen që promovoi, edhe pse ajo zyrtarisht ose në mënyrë naive siç e pranon vetë, dukshëm ka qenë pjesë e asaj që dikur personalisht në një shkrim tjetër, e kam pas quajtur “intelektuahales së andreksuar shqiptare”.

Nëse është OK për këtë zonjë të ofrojë një alibi jobindëse, do duhet pranuar kjo alibi inekzistente për të gjithë firmëtarët e famshëm të kinezërisë maoiste shqiptare, që na u servir para do kohësh.

Rama edhe mund t’i mbrojë protezhet e tij, pasi mund të këshillohet ose të vetëvendosë se nuk ka kohë të zhbëjë një situatë të pakëndshme me kandidaten e Elbasanit, por problemi më i madh nuk është egoja e tij politike e lënduar, nëse është realisht, si ideator i rilindjes së Shqipërisë pas 23 qershorit, sesa skepticizmi dhe buzërrudhja e votuesve  të pavendosur, por edhe të mbështetësve të vet për kandidatë, që dukshëm u mungon identikiti i një fryme që i përngjan në teori një viagare politike, pikërisht rilindjes nga obskurantizmi i Berishës, si paradigmë politike dhe zgjedhjefituese.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA