F1, Ecclestone kundër urdhrave të ekipit

27/03/2013 00:00

Bernie Ecclestone, pronari i Formulës 1, ka dhënë mendimin e tij mbi konfliktin në skuderinë Red Bull pas duelit që dy pilotët e tyre patën me njëri-tjetrin kur u ishte urdhëruar të mos rrezikonin, në garën e Malajzisë.

“Në këtë pikë ku gjendet botërori, nuk duhet të ketë urdhra nga drejtuesit. Supozohet që dy pilotët e Red Bullit (Webber dhe Vettel) të nisen nga zero për fitoren finale. E kuptoj që Horner pati frikën e një aksidenti mes pilotëve të tij dhe nga ky këndvështrim Vettel dhe Webber u treguan të papërgjegjshëm”, deklaroi Ecclestone për ‘The Telegraph’, por shtoi se urdhrat janë të kuptueshme pasi ka kaluar gjysma e sezonit.

“Urdhrat e skuadrës janë të rëndësishme pasi të kalojë një pjesë e sezonit, kur ke vetëm një pilot që lufton për titullin. Atëherë duhet të marrë ndihmë nga skuadra e tij, jo tani”, shtoi Ecclestone.

“Vettel është një fitimtar dhe kërkon një tjetër titull. Është shumë luftarak dhe për këtë arsye nuk ia vuri veshin urdhrit të skuderisë për të mbajtur pozicionin e dytë”, shtoi padroni i sportit më të shpejtë në botë.

Top Channel