Shqipëria në testin Lituani

26/03/2013 00:00

Pas fitores tejet të vyer 0-1 me Norvegjinë në Oslo, kombëtarja rikthehet në “Qemal Stafa”, por këtë herë për një ndeshje miqësore, atë kundër Lituanisë që luhet mbrëmjen e sotme në orën 20:00.

Fakti që bëhet fjalë për një takim miqësor të bën të mendosh se do t’i shërbente trajnerit De Biazi të eksperimentojë me skemat e tij, vecanërisht në mbrojtje. Por pikërisht këtë repart, tekniku italian duket se nuk do ta prekë duke hedhur në fushë të njëjtët lojtarë si ndaj Norvegjisë.

Në stërvitjen e fundit në Durrës, De Biazi ka rreshtuar në mbrojtje si Canën ashtu edhe Lilën, dy futbollistë që do të mungojnë për shkak të kartonave në ndeshjen e kthimit ndaj Norvegjisë në muajin qershor këtu në Tiranë.

Risi, nëse mund të quhet e tillë, do të jetë rikthimi në fushë i Currit, lojtar që nuk është aktivizuar prej shumë kohësh, por që premton se në ndeshjen për eliminatoret ndaj Norvegjisë do të jetë i gatshëm, ndërsa sa për sulmin pritet rotacion dhe ndryshim skemash në varësi të rezultatit.

Kuqezinjtë do të kërkojnë të marrin fitoren ndaj Lituanezëve, skuadër kjo e parë si inferiore jo vetëm nga renditja e përgjithshme e FIFA-s, ku ndodhet 50 vende poshtë nesh, por edhe nga koeficienti i fitores i vendosur nga kompanitë e basteve.

Top Channel