“PostBlloku” në hyrje të ish-Bllokut

26/03/2013 00:00

Në Tiranë, pikërisht në vendin ku dikur niste blloku i banimit të ish-udhëheqësve komunistë dhe nuk mund të hynte askush tjetër, sot gjendet një instalacion që i përket artit postmodern, por për nga përbërja ka tre objekte simbol të regjimit diktatorial të Shqipërisë dhe Gjermanisë Lindore.

Një bunker i ndërtuar që kur u krijua blloku, një kolonë nga burgu famëkq i Spaçit dhe një pjesë e murit të Berlinit, janë tre objektet me të cilat autorët Fatos Lubonja, ish-i burgosur politik dhe piktori Ardian Isufi krijuan memorialin “PostBlloku”.

Një vepër që u ka munguar shqiptarëve në këto dy dekada, nëpërmjet të cilës dy autorët synojnë të ruajnë në memorien kombëtare pjesën më tragjike të hsitorisë moderne të Shqipërisë.

Fatos Lubonja nuk mund t’i fshihte dot emocionet dhe zgjodhi të flasë shumë shkurt. Aq sa për të shprehur kujt ia dedikonte këtë memorial. “Unë e vetmja gjë që dua të them është një lloj dedikimi nga ana ime të kësaj vepre për ata njerëz që nuk mundën ta kalonin kohën e diktaturës dhe të jetonin këtë kohë që është sot”, u shpreh Lubonja.

Emocionet nuk i fshehu dot as kryetarja e Kuvedit, Jozefina Topalli, një ish-e persekutuar poliitke, që burgun e Spaçit, të cilin e cilëson si Aushvicin shqiptar, e lidh historia e familjes së saj. “Spaçi është vendi i vuajtjeve dhe barbarive të papërshkrueshme. Këtë emër e kam dëgjuar që e vogël, sepse ashtu si shumë shqiptarë nga qytetet e Shqipërisë, atje dhunoheshin nëna dhe babai im”, tha Topalli.

Për ambasadoren gjermane, që mundësoi sjelljen e një pjese të murit të Berlinit në Tiranë dhe për kryeministrin Sali Berisha, memoriali është motivimi më i mirë për të ndërtuar të ardhmen, duke mos harruar të kaluarën tragjike të dy popujve.

“Që prej 26 vitesh, nga lidhja diplomatike mes dy vendeve, ne bashkë me Shqipërinë kemi dashur të jemi agjentë të ndryshimit, që nga kriza e refugjatëve. Siguroj të gjithë se ne mbetemi agjentë të ndryshimit në Shqipëri për të arritur në Europën tonë të përbashkët”, deklaroi ambasadorja Holtkemper.

“Në histori e shkuara të shërben më së shumti për të projektuar një të ardhme më të mirë, më të sigurtë, ndaj dhe ne shqiptarët kemi shumë arsye që të rikujtojmë të shkuarën tonë dhe të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë”, tha nga ana tjetër kryeministri Berisha.

Top Channel