Mourinho rikthehet tek Chelsea?

26/03/2013 19:00

Pesë vjet e gjysmë pas largimit nga “Stamford Bridge”, Jose Mourinho do të rikthehet në drejtimin e Chelsea në sezonin e ardhshëm.

Lajmin e shpalli e përditshmja britanike “Daily Mail”, e cila duke cituar burime pranë klubit, informoi se tashmë është gjetur një marrëveshje mes Abramovich dhe vetë portugezit.

E përditshmja u tregua e kujdesshme për të nënvizuar, se ndërkohë nuk do të ketë asnjë konfirmim, përsa kohë Mourinho do të vazhdojë të jetë trajneri i Realit, deri në fund të sezonit aktual.

Vetë Mourinho, duket se ka preferuar rikthimin, në vend të një marrjes së drejtimit të Paris SG në Francë, për të hedhur bazat e kalimit, një ditë, në drejtimin e Manchester United në “Old Trafford”.

Marrëveshja midis Abramovich dhe trajnerit 50-vjeçari, sipas “Daily Mail”, u arrit në një takim gjatë së hënës, që parapriu prezencën e portugezit në “Stamford Bridge”, si spektator në miqësoren Brazil-Rusi.

Sipas “Daily Mail”, trajneri i preferuar për Abramovich ishte Guardiola, por pas firmosjes së tij për Bajernin, miliarderi rus rimori në konsideratë ish-in e tij.

Top Channel