Aleksandër Cipa – Në dy partitë kryesore të vendit, nuk ndodh që deputetë apo veprimtarë të ndryshëm të kenë kurajën të artikulohen për çështje të ndryshme, pa aprovimin e kryetarëve.
Kjo është një e vërtetë drithëruese për lirinë partiake në Shqipëri, por është njëkohësisht tregues se si është instaluar plotësisht centralizmi dhe ka zëvendësuar pluralitetin shprehës brenda subjekteve kryesore politike.
Ky fenomen ka paraprirë procesin më negativ të epokës së tranzicionit në vend, atë të emërimeve dhe komandimeve partiake në instancat dhe institucionet përfaqësuese politike.
Kohët e fundit, kryetari i opozitës është përballur me kritika të shprehura, të përgojuara, të pëshpëritura dhe të deklaruara hapur nga kundërshtarët dhe oponentët e vet për mënyrën e paraqitjes së selektuar të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit të këtij viti. Deputetë aktualë socialistë nëpër mjedise dhe biseda të lira shprehin hapur pakënaqësinë ndaj kësaj mënyre gati prepotente të inskenimit të listës së përfaqësuesve në parlamentin e ri të vendit. Ndërkohë që deri tani, asnjë prej anëtarëve të forumeve drejtuese, qoftë edhe të Kryesisë së PS-së, me ndonjë përjashtim të rrallë, zyrtarisht nuk është shprehur hapur dhe prerë për këtë proces të kritikuar jashtë partisë dhe nën zë brenda saj. Dikush mund të shprehet se kjo sipërmarrje ka edhe anën tjetër të medaljes, se PS po kryen realisht një hap ndryshues të elitës së përfaqësimit të ardhëm parlamentar.! Mund të pranohet ky konstatim, por sidoqoftë, demokracia e brendshme zgjedhore në këtë subjekt politik, është tradhtuar ose më saktë, është uzurpuar prej autoritetit të kryetarit. E në këtë aspekt, Edi Rama nuk e mposht dot kryeministrin e plakur Berisha me formën e huazuar apo të imituar e as me oratoritë e shpeshta majakovskiane prej kryeopozitari-publicist.
Matanë PS-së, një ndër gazetat më të rëndësishme në vend publikoi një ditë më parë, listën e përfaqësuesve të autorizuar nga kryetari-kryeministër Berisha, për oratorinë elektorale që do të përfaqësojë PD-në, në gjithë ditët, debatet, polemikat dhe përballjet elektorale.
Duket se procesi i emërimeve për oratorinë elektorale është mbyllur nga dy subjektet kryesore që formësojnë korpuset dykahëshe të politikës në vend. Është një sipërmarrje e kryer centralizuese për oratorinë elektorale dhe për atë që shpesh mediat e cilësojnë si duelin zgjedhor përmes mediave dhe në mjedisin elektoral publik.
Është e kuptueshme se në parim kjo është një përvojë dhe praktikë e njohur, e dëshmuar si formë në të gjitha vendet e demokracisë dhe në realitetin zgjedhor të BE-së apo edhe në SHBA.
Por në praktikën e fundit shqiptare, spikat diçka autentike. Komandimi i oratorëve elektoralë, në thelb është shprehje e filozofisë së komandimeve dhe emërimeve të cilat zhbëjnë normat e konkurrencës dhe meritokracisë, normën e të ngriturit në përfaqësim. Është një ngjitje jo falë punës dhe kontributit, por e bazuar negativisht në parimin e karrierizmit të arritur në sajë të përkulshmërisë dhe bindjes servile.
Vitet e fundit (këto të përballjes tetëvjeçare Berisha-Rama), kjo përvojë negativiste është evidentuar dhe shumëshfaqur në përmasa të frikshme. Është shndërruar në një realitet të qëndrueshëm dhe po legjitimon ndërgjegjen e nënshtrimit, pa gjasa rebelimi apo kryeneçësie demokratësh e idealistësh.
Një situatë e tillë, parathotë ecurinë e mëtejshme në procesin e integriteteve në rënie të individualiteteve në politikën e vendit. Kjo formë e ngjizur në establishmentet e dualizmit politik shqiptar PD-PS, parathotë një krizë në përthellim të demokracisë së shprehjes dhe të konkurrimit brenda elitës partiake e politike të vendit. Emërimësia preferenciale e të rinjve që do të serviren për listat e deputetëve në Parlamentin e ardhshëm shqiptar, mbart ato pasoja, për të cilat është folur dhe ankuar shumëkush në jetën publike dhe në mediumet tona. Por në planin pretendues për individualitete me integritet dhe autonomi reagimi, kjo formë dhe ky sistem i fiksuar prej autoritetit të Një-shave në skenën duale partiake nuk garantojnë një normë të re pluraliteti në debatin dhe qëndrimet politike në skenën e ardhme parlamentare dhe sidomos atë publike. Nuk është jashtë këtij konteksti vizita dhe axhenda refuzuese për takime dhe pjesëmarrje e politikanëve të lartë dypalësh në konferencën me temë “Just BE”, në të cilën të ftuar ekskluzivë ishin Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Europiane Stefan Fyle si dhe kryetari i PE-së për Ballkanin, Eduard Kukan. Nuk ishte thjesht një preferencë për “pushtetin e tretë” të vobektë të kësaj shoqërie (pra të ashtuquajturën Shoqëri Civile), por një këmbëngulje për atë se, siç pohoi zoti Kukan, i gjithë procesi ka të bëjë jo vetëm me procesin ekonomik por edhe politik e kulturor, me “rolin aktiv të qytetarëve dhe shoqërisë civile në procesin e integrimit… Zëri juaj duhet të dëgjohet dhe jo vetëm në mënyrë simbolike, por si një zë që duhet t’u kërkojë llogari përfaqësuesve tuaj politikë për procesin e integrimit”.
Në pohime të shpeshta diplomatësh të akredituar në Tiranë, të ardhurish nga BE apo institucionet e kancelaritë e ndryshme euroatlantike ripërmendet këmbëngulshëm mungesa e një demokracie të cilësishme në Shqipëri. Rënia e kësaj cilësie në shumëplanësinë e vet nuk është sot meritë negativiste e autoritarëve partiakë Berisha dhe Rama, kjo është meritë e shëmtuar e kastave tona të nënshtruara në politikë, në biznes, në akademizëm, në jetën universitare dhe në gjithë kurorën e monokromatizuar politike të institucioneve kushtetuese. Modeli më spikatës i këtij nënshtrimi dhe rrënimi të integritetit ekstrapolitik të së ashtuquajturës elitë, u shfaq në firmat e peticionit të organizuar kundër refuzimit kushtëzues të opozitës për tri ligjet që pozita i emërton njëanshmërisht si kusht pengues për procesin shqiptar të statusit për në BE. Kjo firmosje në rresht prej pedagogëve, profesorëve, nëpunësve dhe deri edhe të ashtuquajturve shkencëtarë të vendit, ka vetëm një shembull paraprirës, atë në çastet e fundme të diktaturës kur ish- Komiteti Qendror urdhëronte matrikullimin e intelektualëve të vendit. Por kjo bindshmëri rrënuese për integritetin dhe autonominë elitare të munguar në vend po pasohet me afirmim të një procesi nënshtrues partiak e politik të llojit Ur-fashist. Tashmë nuk gjendemi para rrezikut që ofrohet prej një forme apo mendësie, tashmë rrezikohemi prej ekzistencës së një fryme antitolerante, e cila jo vetëm e ka mjegulluar përmbajtësisht demokracinë, por po e tejkalon atë në mënyrën dhe përmbajtjen tipike autarkike. Është ky sistem i deformuar përmbajtësisht dhe mekanizmi i instaluar në funksion të qëllimshëm për autoritetin normal të Kryeministrit në detyrë dhe atij që pretendon të mbërrijë si pasardhës, që po e lënë të patrazuar rënien fataliste të shtetit dhe institucioneve të tij në duar të politikës dhe të përdorimit si mantenutë për epshe politike të qeverisësit.
Duke bërë heshtanakun për fatin e brendisë së demokracisë së shembur, në fakt ne jemi braktisës dhe tradhëtorë të shtetit të së drejtës. Kjo tradhti, së pari, sjell produkt përdorimin e policisë, drejtësisë dhe autoritetin tatimor si gjuetarë kundër opozitarizmit dhe në fushata elektorale si tani, qëllues pa ndërgjegjevrarje mbi oratorët e komanduar të opozitës. Dhe komandimi i oratorëve politikë, shndërron të komanduar vetë institucionet dhe shtetarët e besimit politik të njëanshëm. Pasi ata si notë ose monedhë të punës së bindshme që kryejnë, do të kenë postet në shtet ose parti. Ata fitojnë në kësi rrethanash dhe shërbimesh, (si krakerë dhe si oratorë), besimin ndaj autarkëve dhe urrejtjen si Jago të demokracisë për qytetarët.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel