Erozioni kërcënon tokën

26/03/2013 15:25

Mijëra hektarë tokë, qindra shtëpi, por edhe rrugë nacionale janë të kërcënuara nga rreshqitja e tokës.

Reshjet e shumta të shiut, shpyllëzimet masive, braktisja e tokës duke e lënë djerrë por edhe mosdisiplinimi i ujrave sipërfaqësore, ka bërë që shumë sipërfaqe të kërcënohen nga erozioni i thellë i tokës dhe jo më ai sipërfaqësor.

“Shkarjet dhe shembjet e tokave janë një erozion ekstrem, që jo vetëm humbet, tjetërson e shkatërron tokën, por dëmton dhe objektet social-ekonomike, dëmton infrastrukturën dhe gjithçka mbi të cilën është ndërtuar”, deklaron specialisti Vangjo Kovaçi.

Zjarret në pyje dhe kullota dhe shfrytëzimi pa kriter i tyre rrit të paktën dy deri në tre herë erozionin. Mungesa e investimeve për ngritjen e pritave dhe forcimin e argjinaturave ka bërë që shkarjet e tokës rreth shtretërve të lumenjve dhe ato pranë vijës bregdetare të rriten ndjeshëm.

“Duke u mënjanuar punimi i tokave të pjerrëta, ku automatikisht erozioni sipërfaqësor është i minimizuar, atëherë shkaktohet erozion i thelluar, në forma rrënjësh të cilat në shifër totale janë më të larta se erozioni sipërfaqësor. Ne sot vuajmë nga kjo formë erozioni”, nënvizon Kovaçi.

Faktori kryesor i erozionit ujor janë reshjet e shiut, të cilat gjatë këtyre muajve kanë qenë të shumta. Shifrat e erozionit në vendin tonë variojnë nga disa dhjetra tonë, deri në mbi 100 tonë për hektarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA