Juventusi: Edhe shumë vjet me Conten

25/03/2013 19:10

Antonio Conte do të qëndrojë në stolin e Juventusit edhe për shumë vite të tjera. Të paktën, kështu konfirmon drejtori sportiv, Beppe Marotta, në një deklaratë dhënë të hënën për shtypin italian.

“Nuk ka asnjë mosmarrëveshje në raportin tonë. Nuk ka nevojë për asnjërën nga palët që të kërkojë zgjedhje të tjera. Conte ka një identitet që pak të tjerë e kanë brenda tyre dhe falë këtij identiteti, tashmë synojmë rezultate të rëndësishme, në nivelin e famës së këtij klubi. Besoj se raporti ynë do të vazhdojë përpara edhe për shumë vjet”, tha Marotta.

Megjithatë, pavarësisht konfirmimit të trajnerit që së fundmi është lidhur me një kalim tek Chelsea, drejtori sportiv nuk deshi të fliste mbi temën e rinovimit. “Nuk ka në horizont asgjë të re, përveç objektivit kampionat dhe Champions, në të cilin jemi 100% të përqendruar. Për merkaton dhe zgjedhjet tona të tjera, do të flasim më vonë, pasi të arrijmë rezultatet që kemi vendosur si objektiv”.

Top Channel