SOKOL HAZIZAJ – Kodi Zgjedhor me germa të mëdha pranon se jo më vonë se 90 ditë përpara datës së zgjedhjeve, KQZ-ja zhvillon, në prani të përfaqësuesve të partive politike, vëzhguesve dhe medias, një provë të plotë, duke simuluar një numërim real, në lidhje me funksionimin e SEN-it (Sistemi Elektronik i Numërimit).
KQZ-ja harton një raport në lidhje me provën e zhvilluar, i cili shqyrtohet në seancë publike. Kur në raport janë konstatuar mangësi teknike, ato duhet të riparohen përpara ditës së zgjedhjeve, sipas afatit të përcaktuar nga KQZ-ja. Po në nenin 21 të Kodit të ri Zgjedhor parashikohen rregulla të posaçme lidhur me procedurat e votimit dhe të numërimit të votave kur vendoset zbatimi i teknologjisë së informacionit për identifikimin e zgjedhësve, të cilat në vështrim të parë të krijojnë përshtypjen se gjithçka do të ketë fatin më të mirë të mundshëm të vajtjes së hakës tek i zoti, siç themi ne rëndom. Por nga na tjetër, siç e kundërta ndodh te ne, ku çdo gjë fillon mirë dhe vazhdon si mos më keq, duke u paragjykuar ajo nga zbatuesi institucional, edhe ky proces ka nisur të vijojë si mos më keq, duke filluar nga transparenca e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në atë çka do të ndodhë nesër në mënyrë të sigurt. Kundër çdo parimi apo principi mbi të cilin ngrihet gjithë ngrehina ligjore e administrimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve në vendin tonë, kundër çdo transparence që vijoi gjatë procesit të hartimit dhe vendimit ligjor të Kuvendit të Shqipërisë në miratimin e Ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kohët e fundit ka ndërmarrë një seri vendimesh në lidhje me miratimin e modeleve të tabelave të rezultateve, të cilat do të printohen nga sistemi elektronik i numërimit për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve për çdo QV (Qendër Votimi) dhe modeleve të fletëve të votimit që do të përdoren në zonën e administrimit zgjedhor në Qarkun Fier, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 23.06.2013. Nëse kërkon të dish më tepër për realizimin e këtij procesi, në asnjë vend nuk mund të orientohesh për të zbuluar dhe konstatuar sado pak rreth ligjërimit të mënyrës së fletës së votimit që do të përdoren në Qarkun e Fierit, si dhe në asnjë vend apo hapësirë nuk mund të gjesh ndopak informacion nëse është i mundur realizimi i saj nga shoqëria e huaj që e ka marrë përsipër realizimin e procesit të votimit dhe numërimit elektronik gjithashtu. Pra sa i përket procesit të kryerjes së kësaj ndërmarrjeje të madhe dhe moderne, ende nuk dihet se ku dhe sa herë e ka organizuar këtë proces kjo shoqëri. Një projekti zhvillues dhe ligjor të panjohur dhe të pazbatuar më parë te ne i shtohet dhe fakti i panjohësisë së kujtesës historike të përvojës së shoqërisë ligjzbatuese në Shqipëri. Unë pa e paragjykuar procesin e theksoj me bindje se numërimi elektronik i votave në Qarkun e Fierit do të ketë fatin e realitetit të qarkut të deritanishëm në Fier, pra vështirë se mund të ketë ndonjë rezultat elektronik të votimeve në Fier. Në fushën e të keqes jemi të karakterit recidivist dhe precedentual, ndryshe nga Perëndimi që është precentual pozitiv në zgjidhjet ligjore të çështjeve.
Pra mungesa e transparencës e shfaqur nga ana e KQZ-s është hapi i parë i hedhur prej saj në zymtësirën e pafundme të veprimtarisë në këto pak ditë. Ndonëse kodi ia lejon KQZ përzgjedhjen e një konkurrenti të vetëm, do të ishte më transparente dhe më e arsyeshme në vështrimin jo vetëm të përfundimit të një procesi numërimi korrekt, por në anën tjetër do të kishte vlerë dhe në vështrimin e përvetësimit qytetar të këtij realiteti të ri modern dhe të paprovuar ndonjëherë më parë.
Ajo që më ka habitur pa masë në këtë kohë të vështirë ekonomike dhe sociale është fakti i kostos ekonomike dhe financiare të numërimit elektronik të fletëve të votimit, vlera e të së cilës për çdo fletë votimi të numëruar shkon në 6.5 euro, pa fletën e votimit. Duke mos harruar se numri i zgjedhësve në Qarkun e Fierit, të dhëna deritanishme është 400. 000, në të cilin mesatarisht në vite kanë votuar rreth 250.000 votues, duke na çuar në faktin e rezultatit financiar vetëm të numërimit në këtë qark i cili do të jetë rreth 2 milionë euro, të cilat besoj se duhen lëvruar që nga momenti që shoqëria numëruese fillon procesin, pa llogaritur këtu shpenzime të tjera që duhen për prodhimin e fletëve të votimit dhe të tjera e të tjera.
Dyshimi se ky proces zgjedhor do të jetë më tepër se i dështuar nuk vjen vetëm nga veprimtaria dhe kuptimi që po i jep kjo KQZ misionit të saj, por dhe në sensin ligjor kur lexon Kodin dhe lehtazi konstaton se edhe hartuesit nuk kanë pasur besim të plotë në realizimin e këtij procesi shumë teknik dhe modern, mjafton të hedhësh sytë në seksionin 5 mbi numërimin dhe vlerësimin e votave nëpërmjet sistemit elektronik të numërimit (SEN), duke parashikuar përpara fillimit të numërimit elektronik të votave, KZAZ-ja urdhëron kryerjen e verifikimit të saktësisë së SEN-it. Për këtë qëllim, për çdo pajisje numërimi, pasi të ketë përfunduar numërimi i dy kutive të para, sipas procedurave të numërimit me SEN, këto kuti i nënshtrohen rinumërimit me dorë. Rregullat dhe procedurat që do të ndiqen për verifikimin e saktësisë së SEN-it përcaktohen në aktin normativ që KQZ-ja nxjerr. Prandaj në këto ditë ndonëse me detyrime të tjera të parashikuara në ligj, KQZ-ja e sotme vendos të hartojë dhe miratojë akte ndryshuese të rregullores së brendshme të funksionimit të KQZ-së.
Vonesa, debati dhe çfarë tjetër diskutohet deri tani në institucionin qendror të administrimit të zgjedhjeve nuk është aspak në funksion pozitiv të këtij realiteti të vështirë zgjedhor, por në të vërtetë realizon një misioni që ka marrë përsipër, atë të pengimit dhe vështirësimit të procesit zgjedhor, duke e çuar edhe atë të drejtë të fundit njerëzore, të drejtën për të votuar, që ka ngelur në dorën e qytetarit, drejtë humnerës që ka pllakosur këtë vend. Misioni i kësaj KQZ-je nuk mund dhe nuk ka se si të jetë i mbarë për më tepër kur ende ka diskutime objektive mbi numrin e zgjedhësve, rregullsinë e regjistrit kombëtar të zgjedhësve, dublimet në të, duke mos harruar për detyrimet e tjera ligjore të karakterit normues që duhen prodhuar nga vetë ajo. Serioziteti i draftimit dhe miratimit të Kodit Zgjedhor po shoqërohet zhargon nga një veprimtari e zymtë, jo transparente, konfliktuale, e rastësishme, prognoza e të cilës lë për të dëshiruar në të ardhmen e afërt, duke më imponuar të besoj ndryshe nga ligjësitë e natyrës, besim i cili shpresonte dhe besonte hershëm se sikur njeriu i shpellave të kishte ditur të qeshte, historia do të ishte mjaft ndryshe.
Top Channel