F1, Alonso: Vettel ndaloi në mes të kthesës

25/03/2013 00:00

“E nisa shumë mirë garën, isha pas Vettel dhe në kthesën e dytë e preka. Ai praktikisht ndaloi në mes të kthesës. Jam i sigurtë se po ecte 15km/h më ngadalë seç duhej në atë pikë dhe nuk munda ta shmang.”

Kështu e shpjegon Fernando Alonso aksidentin që pati në fillim të garës me Red Bullin e Sebastian Vettel, aksident në të cilin dëmtoi pjesën e përparme të Ferrarit dhe që e detyroi disa kilometra më tutje të dilte nga pista.

Më tej, spanjolli shpjegon pse vendosi të mos hynte në bokse edhe pse krahu aerodinamik prekte tokën: “Pas aksidentit, makina dukej se ecte mirë dhe vendosëm që të vazhdonim edhe për 2-3 xhiro sepse do të vinte koha për të hyrë në bokse e për të ndërruar gomat. Nëse do kishim hyrë në bokse në xhiron e parë e sërish në xhiron e katërt për gomat, praktikisht do e kishim nisur garën nga vendi i fundit. Vendosëm të rrezikonim dhe nuk patëm fat pasi krahu u shkëput dhe hyri poshtë makinës.”

Në lidhje me situatën e krijuar tek Red Bulli pas duelit të dy pilotëve të tyre, Alonso theksoi se tek Ferrari nuk do të ndodhte kurrë diçka e tillë: “Tek ne nuk ndodhin këto gjëra sepse jemi një skuadër e bashkuar. Edhe ata të Red Bullit e thonë këtë, por shihet qartë që gënjejnë.”

Top Channel