Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës denoncuan një ndërtim pa leje, që sipas tyre po ngrihet në qendër të kryeqytetit. Aldrin Dalipi akuzoi qeverinë për korrupsion me ndërtimet pa leje dhe tha se bashkia po e betonizon qytetin.
“Është zëri i qytetarëve, i cili flet sot sigurisht për një ndërtim pa leje në qendër të Tiranës. Ka filluar të japë leje ndërtimi edhe qeveria në ikje, kjo është një gjë krejtësisht e paligjshme dhe sigurisht e papranueshme për qytetarët. Ndërtimi që ndodhet pas nesh e turpëron atë që sot është kryetar i emëruar i Bashkisë dhe nuk e nderon. Kryetari i emëruar është fokusuar vetëm te ndërtimet, vetëm te korrupsioni me ndërtimet, te trafiku me klientët dhe natyrisht që ky objekt që ndodhet këtu na tregon se Tirana sot është nën pushtetin e korrupsionit të ndërtimeve ngado, pa leje, dhe që veprojnë edhe me bekimin apo vendimet e qeverisë. Do të jetë qeveria e ardhshme, që do të marrë vendimet e duhura për të stabilizuar dhe për të rregulluar këtë situatë kaotike në Tiranë, e cila është në dorë të klientëve dhe korrupsionit ngado”, u shpreh Aldrin Dalipi.
Reagon Bashkia e Tiranës
Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha ka reaguar në lidhje me deklaratën e kreut të këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, Aldrin Dalipi.
“Ish – kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama duket se e ka të pamundur të ndahet nga politika konfliktuale. Kësaj here, Rama foli me gojën e këshilltarëve të tij në Këshillin Bashkiak, për një ndërtim sipas tij pa leje. Për zbatimin e lejes së ndërtimit të marrë në vitin 1998, lidhur me objektin së cilit i referohen këshilltarët e majtë, objekt i cili u pezullua nga ish – kryetari i Bashkisë për vite me radhë, ka një vendim të Gjykatës së Strasburgut që e cilëson të paligjshëm vendimin e Ramës”, deklaroi Bisha.
“Bashkia e Tiranës, vijoi zëdhënësja Bisha, dhe asnjë institucion tjetër, qoftë dhe Partia Socialiste nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Bashkia e Tiranës është e vendosur të forcojë zbatimin e ligjit përmes gjithë veprimtarisë së saj, çka demostrohet më së miri nga miratimi i planit urbanistik, i cili i jep fund çdo praktike favorizimi apo arbitrariteti në dhënie apo pezullim lejesh ndërtimi’, thuhet në reagim.
Top Channel