Formula 1, triumf i Red Bull

24/03/2013 11:10

Red Bulli konfirmohet si skuadra për t’u mundur në këtë sezon të Formulës 1, me Vettel dhe Webber që mbyllën garën e Malajzisë në dy vendet e para.

Në Sepang, kampioni i botës në fuqi, gjermani Vettel, tregoi aftësitë e tij si pilot jo vetëm duke qenë më i shpejti në pistë, por edhe me dy parakalime spektakolare ndaj Hamilton e në xhirot e fundit, ndaj Red Bullit tjetër të Webber.

Një garë e mirë edhe ajo e australianit, që siguron podiumin e parë të këtij sezoni, por me polemika që e shtynë të refuzonte komunikimin pas garës me Vettel, pas parakalimit të rrezikshëm.

Nga ana e tij, Mercedesi tregoi se së bashku me Ferrarin mund të jetë kërcënimi kryesor për Red Bullin në këtë sezon, duke u treguar i shpejtë dhe renditur dy pilotët e tij në vendin e tretë e të katërt.

Felipe Massa ishte i vetmi pilot i Ferrarit që grumbulloi pikë, me pozicionin e tij të pestë, pasi Alonso braktisi garën që në xhiron e dytë, pas një kontakti me Vettel, që i dëmtoi hundën dhe e nxorri jashtë gare.


Ne Foto: Alonso perfundon garen pas nje kontakti ne xhiron e dyte

Vazhdon të jetë tepër zhgënjyes McLaren Mercedes, me Perez që e mbylli i nënti, ndërsa Button braktisi garën dy xhiro nga fundi. Më parë, gara e britanikut u kompromentua nga një gabim të mekanikëve gjatë ndalesës, të cilët nuk i fiksuan një gomë, duke i humbur pilotit shumë kohë.

Tashmë Formula 1 udhëton drejt Kinës, për Çmimin e Madh të Shangait, me provat e lira dhe garën në datat 13 e 14 prill.

Renditja e pilotëve që përfunduan në zonën e pikëve

Poz.Piloti            Skuadra         Koha
1    Vettel           Red Bull    
2    Webber        Red Bull        +4’298”
3    Hamilton      Mercedes       +12’181”
4    Rosberg       Mercedes       +12’640”
5    Massa          Ferrari           +25’648”
6    Grosjean       Lotus            +35’564”
7    Raikkonen    Lotus            +48’479”
8    Hulkenberg   Sauber          +53’044”
9    Pérez           McLaren         +1m12”357”
10  Vergne         Toro Rosso     +1m27’124”

Renditja e pilotëve
1. Vettel                   40 pikë
2. Raikkonen            31
3. Webber                26
4. Hamilton              25
5. Massa                  22
6. Alonso                 18
7. Rosberg               12
8. Grossjean              9
9. Suttil                     6
10. Di Resta              4
11. Hulkenberg          4
12. Perez                  2
13. Button                 2
14. Vergne                1

Renditja e konstruktorëve
1. Red Bull               66
2. Lotus                   40
3. Ferrari                  40
4. Mercedes              37
5. Force India           10
6. Sauber                   4
7. McLaren                 4
8. Toro Rosso             1

Top Channel