Kroacia mposht Serbinë në ndeshjen “armiqësore”

23/03/2013 01:40

Kroacia ka mposhtur Serbinë në përballjen për eliminatoret e Botërorit 2014, mes masave të rrepta të sigurisë, në një atmosferë aspak miqësore, për të mos thënë armiqësore.

Himni kombëtar serb u vërshëllye në fillim të ndeshjes, teksa tifozët vendas në Zagreb vazhduan edhe gjatë 90 minutëshit me kore abuzive kundër rivalëve të tyre të betuar.

Në një moment, një kor “Vrit një serb” u dëgjua kudo në stadium. Tifozët serbë nuk u lejuan të udhëtonin për të mbështetur kombëtaren e tyre, në një ndeshje që u fitua nga kroatët 2-0.

Dy kombet kanë qenë në luftë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet ’90.

Pothuajse 40 mijë tifozë kroatë ishin të pranishëm në stadium, në atë që ishte ndeshja e parë zyrtare mes dy kombëtareve të dy vendeve tashmë të pavarura.

Siguria në Zagreb ishte në nivele të larta, pavarësisht marrëveshjes fillestares mes Kroacisë dhe Serbisë, që nuk lejonte udhëtimin e tifozëve miq për të ndjekur përballjen, në mënyrë që të reduktonin sadopak dhunën e mundshme.

Pavarësisht apeleve të përsëritura nga autoritetet e futbollit kroat, për të respektuar ekipin mik, turma vendase nisi të këndonte që në fillim këngë fashiste të viteve ’40, kur dhjetra mijëra serbë vdiqën në Kroaci, në duart e milicive Ustasa.

Policia kishte paralajmëruar se do të ndalonin zhvillimin e ndeshjes në të tilla rrethana, por nuk vepruan. Edhe organi qeverisës i futbollit europian, UEFA, mund të hëtojë me imtësi këtë ndeshje, por mbase mund të kënaqet edhe me faktin që nuk pati incidente të dhunshme brenda dhe jashtë fushe.

Kroacia, e cila do ta zhvillojë në shtator ndeshjen e kthimit në Serbi, gjendet tashmë në krye të grupit A, së bashku me Belgjikën, duke qenë në kushte komode për t’u kualifikuar në finalet e Botërorit të ardhshëm, Brazil 2014.

Ndërkohë, Serbia duket se i ka humbur edhe shpresat më minimale për t’u kualifikuar nga ky grup.

Top Channel