Shqipëria mposht 1-0 Norvegjinë

22/03/2013 21:00

Një magji e Hamdi Salihit dhe 2 pritjet e mrekullueshme të Etrit Berishës i dhanë fitoren e parë pas 6 vjetësh Shqipërisë, në një ndeshje zyrtare në transfertë, vendin e tretë në grup dhe rritën shpresat e kualifikimit për në Botërorin “Brazil 2014”.

“Sipas meje, kjo ndeshje ishte çelësi për të vazhduar më tej ëndrrën tonë për kualifikimin. Skuadra po përmirësohet dhe tashmë kemi edhe fatin me vete. Duhet të mbajmë këmbët në tokë dhe të ecim përpara, pa kaluar në eufori dhe të luajmë gjithmonë me këtë shpirt gare”, ishin fjalët entuziaste të trajnerit të kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi.

“E kam ndjerë dhe e kam besuar gjithmonë se mund t’ia dalim, thjesht na kanë munguar gjëra të vogla gjithmonë. S’mund të them se edhe sot nuk kemi bërë gabime, bëmë edhe sot disa të vogla, por me pak fat dhe me një ditë të mrekullueshme të portierit kemi arritur të mbajmë këtë rezultat. Duhet të përmirësohemi, nuk duhet të fluturojmë, por të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të zhvillojmë ndeshjen tjetër, akoma me më pak gabime”, u shpreh autori i golit të fitores, Hamdi Salihi.

Kombëtarja kuqezi ishte e vendosur mjaft mirë në fushën e lojës gjatë 45 minutave të para dhe, falë mbështetjes së mijëra tifozëve shqiptar, arritën të ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Salihi rrezikoi 2 herë, ndërkohë që rasti më i mirë ishte ai i Bashës, por pakujdesia dhe ndoshta emocionet bënë që mesfushori të mos debutonte me gol me fanelën kuqezi.

Edhe pse të mësuar me temperaturat e ulta, norvegjezët ishin më të tërhequr, megjithëse rrezikuan 2 herë me kundërsulm, por për fat të mirë porta jonë mbeti e paprekur. Norvegjezët tregohen më ngacmues në pjesën e dytë, por përpjekjet e tyre thyhen nga mbrojtja jonë, pa krijuar ndonjë rrezik të madh.

Kuqezinjtë janë më efektivë nga krahët dhe, në një aksion të tillë, Lila fiton një goditje dënimi. Bulku jep një top për Salihin, i cili, me një goditje perfekte, dërgoi topin në rrjetë dhe startoi festën e tifozëve kuqezi.

Norvegjezët kërkojnë të reagojnë, madje krijojnë disa raste të rrezikshme njëra pas tjetrës, por Etrit Berisha, me reflekset e tij, nuk lejon që topi të përfundojë në rrjetë.

Duke mos mjaftuar presioni norvegjez, gjyqtari holandez Blum nxjerr me karton të kuq Lilën, lojtarin që ndërshkoi po me të kuq 2 vjet më parë, në ndeshjen me Bosnjën. 6 minutat e mbetura të ndeshjes, siguria në portë dhe pritjet vendimtare e shndërrojnë Etrit Berishën në një hero.

Falë tij, Shqipëria ngjitet në vendin e tretë me 9 pikë dhe tashmë pret e qetë, e më superiore në klasifikim, përfaqësuesen norvegjeze. Në ndeshjen tjetër të grupit E, Islanda fitoi 1-2 në fushën e Sllovenisë. Renditja e grupit, ku bën pjesë edhe kombëtarja jonë, është e tillë:

Zvicra 10 pikë

Islanda 9

Shqipëria 9

Norvegjia 7

Sllovenia 3

Qipro  3

Top Channel