Itali-Brazil, miqësore luksi, spektakël dhe gola

22/03/2013 02:45

Një ndeshje spektakolare dhe me gola ishte ajo miqësore mes Italisë dhe Brazilit, e luajtur në Zvicër, teksa “axurrët” kanë arritur të barazojnë rezultatin në 2-2, edhe pse gjendeshin në disavantazh të dy golave.

Takimi u zhbllokua në pjesën e parë, kur “Selecao” arrin të gjejë rrugën e rrjetës me anë të Fred (33’), ndërsa golin e dytë e shënon Oscar, vetëm 3 minuta nga fundi i 45-minutave të para, falë një kundërsulmi të nisur nga Neymar.

Në pjesën e dytë vjen dhe reagimi i italianëve, të cilët fillimisht shkurtojnë diferencën me De Rossi-n (54’), e më pas barazojnë shifrat në 2-2, falë një gjuajtjeje spektakolare të Balotelli-t (57’), nga jashtë zonës së rreptësisë.

Prandelli: Zhvilluam një ndeshje të madhe

Është shfaqur i kënaqur Cesare Prandelli, dhe ndoshta me të drejtë, edhe pse rezultati 2-2 ndoshta lë vend për më shumë kundër Brazilit. “Kemi zhvilluar një ndeshje të madhe, – tha tekniku i Italisë. – Pas 30 minutave të para, të mira, pësuam dy gola dhe dukej sikur ndeshja ishte mbyllur. Por u treguam të zotë, kërkuam golin dhe u rikthyem në lojë”. Në lidhje me skemën sulmuese të pjesës së dytë 4-3-3: “Ishte një modul interesant, por duhet të punojmë ende me të…”.

Balotelli: Meritoj notën 6, humba shumë raste

Mario Balotelli i zë të gjithë në kundërkohë, edhe pasi ia doli mbanë në mënyrë perfekte kundër mbrojtjes braziliane: “Me çfarë note do ta vlerësoja veten sot? 6. Shumë raste të gabuara përpara portës”, tha sulmuesi i Milanit, para se të largohej për në autobusin, që do t’i dërgonte “axurrët” në hotel. Megjithatë, në fillim i bën komplimente Neymar-it, të cilin e konsideron të fortë, si dhe shprehu preferencat e tij taktike: “Me 4-3-3 në pjesën e dytë ndihesha më mirë”.

De Sciglio: Emocione të shumta, falënderoj Allegri-n

“Jemi një skuadër e madhe dhe e kemi shfaqur këtë mbrëmje. Donim ta nisnim mirë që në fillim, duke e vënë në vështirësi Brazilin”. Debutim më të mirë nuk do të kishte bërë Mattia de Sciglio, një nga “talentët e artë” të Prandelli-t. “Pas 2 golave të pësuar, trajneri na kërkoi që të mos dorëzoheshim dhe të shënonim 1 gol. Gol i cili do të rihapte ndeshjen. Por, në pjesën e parë nuk i shfrytëzuam rastet që patëm”.

Milanisti pranon emocionet e shumta që kishte ndjerë: “Isha i emocionuar, u përpoqa t’i bëja gjërat më të thjeshta, duke qarkulluar topin. Të gjithë më kërkuan të isha i qetë dhe të bëja gjithçka që dija të bëja. Grupi më priti shumë mirë. Por, merita më e madhe është e Allegri-t, pati kurajon të më besonte dhe më bëri të rritesha. Një futbollist fiton besim në vetvete, vetëm duke luajtur”.

Top Channel