F1, Alonso i kënaqur: Luftojmë për fitore

22/03/2013 00:00

I qetë dhe optimist për garën e Malajzisë, Fernando Alonso është besimplotë pas provave të lira, në të cilat u rendit i katërti.

Piloti i Ferrarit ka arritur në të shkuarën gjithmonë rezultate pozitive në këtë pistë dhe në prag të provave zyrtare të së shtunës e garës së të dielës, të cilat do të transmetohen të dyja në ekranin e “Top-Channel” duke nisur nga ora 9.00, spanjolli shprehet i kënaqur nga “kokëkuqja” e tij.

”Rezultatet e kësaj të premte, së bashku me ndjesitë, janë të mira. Në të thatë regjistruam një kohë vërtet të shpejtë, ndërsa në kthesa jemi përmirësuar. Megjithatë, jemi të përgatitur edhe nëse do të ketë shi, pasi makina ka dhënë prova se është në gjendje të ketë një rendiment të mirë edhe në pistë të lagur”, tha dy herë kampioni i botës.

Sipas tij, për fitimin e garës do të jetë përcaktuese strategjia, ndonëse beson se Ferrari ka shanse të mira sido që të shkojë. “Degradimi i gomave në Sepang do të jetë i lartë, më i madh se në Australi, për shkak të nxehtësisë dhe kushteve të pistës. Në këto kushte, nuk e di a do të ketë më shumë rëndësi të jesh më i shpejti në garë apo të kesh strategjinë më të mirë gjatë saj. Në çdo rast, besoj se mund të luftojmë për podium dhe mbase edhe për fitore, sidomos nëse nisemi nga radha e parë”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta